
Londra dhe Uashingtoni kanë arritur një kompromis që shmang vendosjen e tarifave të larta amerikane mbi ilaçet britanike, pasi Mbretëria e Bashkuar pranoi të paguajë më shumë për medikamentet më të avancuara, përcjell Euronews.
Të dyja palët njoftuan të hënën se kanë finalizuar një marrëveshje që eliminon tarifat ndaj produkteve farmaceutike britanike të eksportuara në SHBA. Në këmbim, Britania do të ulë nivelin e rimbursimeve që kompanitë farmaceutike paguajnë ndaj Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS), nga rreth 23% aktualisht në maksimum 15% në vitin 2026. Sipas përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së, Britania gjithashtu do të rrisë me 25% çmimin neto që paguan për ilaçet e reja.
Marrëveshja vjen pasi presidenti Donald Trump kërcënoi me tarifa deri në 100% për ilaçet e markës që eksportoheshin nga Britania drejt SHBA-së, nëse kompanitë nuk mendonin të ndërtonin fabrika në territorin amerikan — një paralajmërim që shqetësoi gjigantët farmaceutikë si AstraZeneca dhe GSK.
SHBA, si pjesë e paktit, është zotuar të mos shënjestrojë praktikat britanike të çmimeve të ilaçeve në hetimet e ardhshme gjatë gjithë mandatit të Trump.
Qeveria britanike e cilësoi këtë si një “marrëveshje historike”, duke thënë se ajo garanton furnizimin e medikamenteve për mijëra pacientë të NHS-së dhe shpejton aksesin në trajtime të reja.
Sektori farmaceutik ka qenë një pikë tensioni mes dy vendeve, pasi SHBA ka kritikuar prej kohësh modelin britanik të çmimeve, që konsiderohet më i ulët dhe më i kontrolluar përmes agjencisë NICE.
Industria në Britani ka paralajmëruar se politikat e çmimeve po dekurajojnë investimet e huaja. Në muajt e fundit, disa kompani kanë shtyrë ose ndryshuar projektet në Britani, përfshirë AstraZeneca që pezulloi investimin prej 200 milionë paundësh në Cambridge, ndërsa GSK po synon investime të mëdha në SHBA.
Marrëveshja e re mbyll një nga pikat e fundit të pazgjidhura të paktit tregtar më të gjerë që kryeministri Keir Starmer arriti me Trump më herët këtë vit.