Vendosni fjalën kyçe....

Përmbysja e varkës lë pas 20 të vdekur e disa të zhdukur në vendin afrikan


Të paktën 20 persona kanë vdekur dhe disa mbeten të zhdukur pasi një varkë u përmbys në Kongon veriperëndimore, sipas banorëve lokalë.

Varka, e cila u përmbys në Liqenin Mai-Ndombe të enjten, po transportonte pasagjerë për në kryeqytetin Kinshasa. Mes tyre ishte edhe një dhjak katolik i sapo shuguruar, sipas një deklarate të lëshuar nga Dioqeza lokale të premten.

Duke folur për Associated Press nëpërmjet telefonit të shtunën, Emmanuel Bola, një banor i qytetit të afërt Inongo, tha se varka po udhëtonte nga qyteti Kiri drejt Kinshasa kur u përmbys mes fshatrave Bobeni dhe Lobeke rreth orës 20:00 të së enjtes mbrëma.

Qeveria kongoleze nuk ka publikuar një numër zyrtar të viktimave. Kevani Nkoso, guvernatori i provincës Mai-Ndombe, duke folur në televizionin kombëtar, tha se “ne jemi në pritje të hollësive nga ekipet e dërguara në terren për të përcaktuar numrin e personave të vrarë dhe numrin e të mbijetuarve.”

Përmbysja e varkave po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë në këtë vend të Afrikës Qendrore, pasi më shumë njerëz po braktisin rrugët e pakta të disponueshme për anije prej druri më të lira, të cilat po rrëzohen nën peshën e pasagjerëve dhe mallrave të tyre.

Në udhëtime të tilla, jelekët e shpëtimit janë të rrallë dhe anijet zakonisht janë të mbingarkuara.

Shumë prej varkave udhëtojnë edhe natën, duke e bërë më të vështirë operacionet e shpëtimit dhe duke bërë që shumë trupa shpesh të mos gjenden. Më parë këtë muaj, një përmbysje la 64 persona të zhdukur. Në shtator, të paktën 193 persona vdiqën në Kongon veriperëndimore në dy tragjedi të ndara me varka, të cilat media shtetërore ia atribuoi “ngarkimit të gabuar dhe lundrimit natën”, shkruan AP.