
Numri i viktimave nga zjarri tragjik që përfshiu këtë javë kompleksin banesor Wang Fuk Court në Hong Kong është rritur në 146, njoftoi policia të dielën, 30 nëntor. Zyrtarët e Njësisë së Identifikimit të Viktimave të Fatkeqësive gjetën trupa të tjerë, ndërsa kërkimi u zgjerua në tri blloqe të tjera të kompleksit, duke e bërë këtë zjarrin më vdekjeprurës në një ndërtesë banimi në botë që nga viti 1980, përcjell REL.
Shefja e Njësisë, Tsang Shuk-yin, deklaroi se “bilanci i fundit i viktimave është 146. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e viktimave të tjera”.
Mbi 1,000 persona nga qyteti u mblodhën në distriktin Tai Po për të nderuar viktimat. Autoritetet kanë krijuar një grup të përbashkët hetimor për të zbuluar shkakun e zjarrit. Njësia kundër korrupsionit arrestoi 11 persona në lidhje me ngjarjen, ndërsa tre prej tyre u arrestuan edhe për vrasje nga pakujdesia.
Konsullata indoneziane konfirmoi se të paktën shtatë shtetas indonezianë kanë humbur jetën, ndërsa një punëtore filipinase gjithashtu humbi jetën.
Për pasojë, Departamenti i Ndërtesave të Hong Kongut ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të punimeve në 30 projekte private ndërtimi në të gjithë qytetin.
Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje të madhe dhe ka vënë në pah neglizhencën e mundshme të kompanive ndërtuese, duke ngjallur shqetësime për sigurinë e ndërtesave banimi në qytet.