
Papa Leo XIV zhvilloi të dielën lutje në Katedralen Apostolike Armene në Stamboll, duke përmbyllur vizitën e tij në Turqi përpara se të udhëtojë drejt Libanit, ku synon të japë një mesazh shprese për një vend të rraskapitur nga krizat dhe të forcojë praninë e rëndësishme të komuniteteve të krishtera në Lindjen e Mesme, përcjell Euronews.
Në Stamboll, ai mbajti dy takime të rëndësishme: lutjen në katedralen armene dhe një liturgji të përbashkët me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu, udhëheqës shpirtëror i ortodoksëve në mbarë botën. Ftesa e Patriarkut për të shënuar një përvjetor të rëndësishëm të krishtërimit ishte arsyeja kryesore e vizitës.
Gjatë ceremonisë, Papa Leo vlerësoi “dëshminë e guximshme të popullit armen gjatë historisë”, duke bërë një referencë të kujdesshme ndaj masakrave të viteve të Luftës së Parë Botërore — një temë që mbetet e ndjeshme në Turqi.
Pas nisjes nga Stambolli, Papa udhëton drejt Libanit, një vend ku rreth një e treta e popullsisë është e krishterë dhe që për Vatikanin ka gjithmonë rëndësi strategjike. Vizita vjen në një moment tejet të brishtë, mes krizave të njëpasnjëshme ekonomike, institucionale dhe pasojave të luftës midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Prej vitit 2019, Libani ka përjetuar kolaps financiar, ndërprerje energjie, mungesa të theksuara në furnizime dhe një shpërthim shkatërrimtar në portin e Bejrutit në vitin 2020, ku humbën jetën 218 njerëz. Hetimi për shpërthimin ka mbetur në vend, pa asnjë zyrtar të dënuar, duke rritur zemërimin e qytetarëve.
Papa do të vizitojë më 2 dhjetor vendin e tragjedisë për një lutje të heshtur dhe një takim me familjet e viktimave, një moment që pritet të ketë ngarkesë të madhe emocionale dhe simbolike. Shumë libanezë shpresojnë që ai të kërkojë me forcë llogaridhënie dhe drejtësi.
Ai do të takohet edhe me të rinj libanezë, shumë prej të cilëve ndihen të zhgënjyer dhe të lodhur nga krizat e pafundme dhe largimi i brezave drejt emigrimit.
Vizita e tij zhvillohet ndërkohë që tensionet në kufirin Liban–Izrael mbeten të larta pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA. Izraeli kryen ende sulme të përditshme ajrore kundër pozicioneve të Hezbollahut, dhe frika e një lufte të re është e pranishme tek qytetarët.
Hezbollah u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të dalin përgjatë rrugës së kortezhit papnor, duke e përshëndetur vizitën si një moment të rëndësishëm në mbështetje të Libanit.
Edhe në Siri, ku pas rënies së regjimit të Asadit vendi vijon të përballet me dhunë sektare dhe sulme ndaj pakicave fetare, komunitetet e krishtera shohin në këtë vizitë një dritë shprese. Rreth 300 të krishterë sirianë pritet të udhëtojnë drejt Libanit për t’u lutur me Papën dhe për të kërkuar ndjenjën e sigurisë që u mungon.
Për shumë besimtarë në rajon, Papa Leo XIV sjell një mesazh të thjeshtë, por të domosdoshëm: se komunitetet e krishtera të Lindjes së Mesme nuk janë të harruara.