Vendosni fjalën kyçe....

Rama citon Venecian dhe Strasburgun: Pezullimi i Ballukut nga GJKKO-ja, ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit



Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij “Flasim”, u ndal gjerësisht te vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga funksionet publike të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë një veprim të paprecedentë dhe të rrezikshëm për balancën e pushteteve.

Rama tha se si Komisioni i Venecias ashtu edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg janë të qarta: gjykatat nuk mund të pezullojnë ministra, pasi kjo përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e kryeministrit dhe presidentit. Sipas tij, ministrat janë figura politike të zgjedhura dhe përgjegjëse para ekzekutivit dhe Parlamentit, jo funksionarë administrativë që mund të pezullohen nga gjykatat.

Ai e quajti vendimin e GJKKO-së një “shpikje” që nuk ekziston askund në Europë.

Rama tha se pezullimi i një ministri paralizon funksionimin e institucionit që ai drejton, duke i hequr zërin në Këshillin e Ministrave dhe duke bllokuar vendimmarrjen në sektorët që mbulon. Sipas tij, kjo është thelbi i shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve.

Kryeministri rikujtoi se, sipas standardeve evropiane, një ministër mund të largohet vetëm me dorëheqje, nga vendimi i kryeministrit, ose në rast dënimi të formës së prerë. Çdo formë tjetër ndërhyrjeje nga prokuroria apo gjykata është e papranueshme.

Ai shtoi se Gjykata e Strasburgut nuk është ndeshur kurrë me një rast të tillë, pikërisht sepse një pezullim i tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës. Për Ramën, ky është një “eksperiment” i rrezikshëm që bie ndesh me parimet demokratike, proporcionalitetin dhe funksionimin normal të ekzekutivit.

Rama u shpreh se çdo masë që ndikon drejtpërdrejt qeverinë dhe përbërjen e saj duhet të justifikohet me standardin më të lartë demokratik, gjë që sipas tij nuk ndodh në këtë rast. Ai paralajmëroi se një precedent i tillë hap rrugën për presione politike ndaj qeverisë dhe destabilizim institucional.

Në përfundim, Rama tha se pezullimi i një ministri është “absurd si koncept” dhe shpresoi që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë këtë vendim, për t’i kursyer Shqipërisë një “shfaqje ulëritëse papjekurie demokratike dhe institucionale.”