Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësit politikë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diaspora urojnë Shqipërinë për 113-vjetorin e pavarësisë


Shqiptarët në mbarë botën festojnë sot 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, ku përkujtohet ngritja e flamurit nga Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912..

Me këtë rast, udhëheqës politikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diaspora kanë përcjellë urimet e tyre për 113-vjetorin e shtetit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për unitetin dhe historinë kombëtare.

Udhëheqësit politikë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, por edhe në Shtetet e Bashkuara, kanë uruar për 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot festën e 28 nëntorit, Ditën e Pavarësisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë një foto nga memoriali “Nënë Shqipëri” dhe ka uruar shqiptarët.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi shqiptarët për Ditën e Flamurit, duke kujtuar edhe lindjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

“Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani po qëndron në Shqipëri ku po merr pjesë në ceremonitë zyrtare për shënimin e 113-vjetorit të pavarësisë.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kujtoi se më 28 nëntor të vitit 1443 në Krujë ishte ngritur flamuri Kuq e Zi i Kastriotëve dhe më 1912 u ngrit në Vlorë, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në urimin e tij për 28 Nëntor, tha se në sot kur kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Prishtina dhe Tirana duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës “për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”.

Ndërkaq, kryediplomati amerikan, Marco Rubio, në urimin e tij për ditën e pavarësisë, tha se dy vendet kanë një partneritet të fortë.

“Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Urime për Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar kanë bërë edhe politikanë nga Maqedonia e Veriut, sikurse Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, por edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Më 28 Nëntor, në Prekaz figura të ndryshme publike, por edhe qytetarë po bëjnë homazhe pranë kompleksit memorial të familjes Jashari.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka uruar sot të gjithë shqiptarët me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në mesazhin e tij, Peleshi thekson se kjo ditë simbolizon unitetin kombëtar dhe është një moment reflektimi mbi trashëgiminë e themeluesve të shtetit shqiptar.

Mesazheve të urimit iu është bashkuar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili përmes një mesazhi thekson se përulemi me respekt para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, të cilët me qëndresë, sakrifica dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Meta shkruan se “Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë”.

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha