Vendosni fjalën kyçe....

“Patriotizmi dhe sakrificat për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm” – Ilir Meta për Ditën e Pavarësisë



Sot shqiptarët kremtojnë Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, një nga datat më të shenjta të kombit, ku përkujtohet ngritja e flamurit nga Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Mesazheve të urimit iu është bashkuar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili përmes një mesazhi thekson se përulemi me respekt para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, të cilët me qëndresë, sakrifica dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Meta shkruan se “Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë”.

Ai përkujton gjithashtu Ismail Qemalin, “Atin e Shqipërisë dhe themeluesin e shtetit modern”, i cili 113 vite më parë shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë së bashku me Etërit e Pavarësisë.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur!” përfundon mesazhi i Metës.