
Një tren goditi një grup punëtorësh hekurudhorë në qytetin Kunming, në Kinën jugperëndimore, të enjten, duke lënë 11 të vdekur dhe dy të plagosur, thanë zyrtarët atje. Ky është aksidenti hekurudhor me më shumë viktima në vend në më shumë se një dekadë.
Treni, i cili po testonte pajisjet e zbulimit të tërmeteve, goditi punëtorët në një seksion të lakuar të shinave në stacionin hekurudhor të qytetit Luoyang Toën, thanë zyrtarët.
Stacioni në provincën Yunnan ka rifilluar shërbimet normale dhe shkaku i aksidentit po hetohet, shtuan ata në një deklaratë.
Gjithashtu të enjten, dy punëtorë të mirëmbajtjes hekurudhore vdiqën pasi u goditën nga një tren në Deyang në Sichuan, një tjetër provincë jugperëndimore kineze, raportoi Jimu Neës.
Rrjeti hekurudhor i Kinës është më i madhi në botë, duke u shtrirë në më shumë se 160,000 km dhe regjistron miliarda udhëtime çdo vit.
Megjithëse vlerësohet për efikasitetin e tij, ai ka tërhequr vëmendjen pas disa incidenteve të profilit të lartë, si një përplasje në vitin 2011 në provincën lindore të Zhejiang, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 200, shkruan Reuters.
Nëntë persona u vranë në vitin 2021 kur një tren në provincën veriperëndimore të Gansu goditi punëtorët në një seksion të hekurudhës Lanzhou-Xinjiang.