Vendosni fjalën kyçe....

Manhatan-Apollo-Genesis: Tri epoka që rivendosin fuqinë amerikane


 

Nga Enri Çeno

Manhattan Project dhe Programi Apollo nuk ishin vetëm ngjarje shkencore; ishin momente ku Shtetet e Bashkuara vendosën të ndryshonin boshtin e historisë, të shtynin kufijtë e mundësisë dhe të shpiknin një realitet të ri politik, ushtarak dhe teknologjik. Sot, me nismën e re të Presidentit Donald J.

Trump, Genesis Mission, Amerika duket se po hyn në aktin e tretë të kësaj sage—një epokë ku inteligjenca artificiale, superkompjuterët dhe të dhënat federale shndërrohen në armën kryesore të fuqisë kombëtare.

Genesis Mission shpallet si një mobilizim i ri kombëtar, një lloj Manhattan-i për epokën e algoritmeve dhe një Apollo për botën ku garohet jo për Hënën, por për kontrollin e informacionit dhe llogaritjes.

Për SHBA-në, kjo nuk është vetëm një iniciativë teknike për të automatizuar eksperimente apo për të shpejtuar simulimet shkencore; është një lëvizje e qartë politike që ringjall logjikën e “superfuqisë shkencore” dhe riafirmon se shteti amerikan nuk ka ndërmend të qëndrojë spektator në revolucionin teknologjik që po ndodh.

Përmes Departamentit të Energjisë dhe laboratorëve nacionalë, projekti synon të bashkojë burime që për dekada kanë qenë të shpërndara: superkompjuterë gjigantë, arka të mëdha të dhënash, infrastrukturë kërkimore dhe inteligjencë artificiale e mbyllur dhe e kontrolluar nga shteti.

Në thelb, kjo iniciativë është një rikthim i fuqishëm i shtetit federal në skenën ku deri dje dominonin kompanitë e teknologjisë. Politika amerikane, që për shumë vite i la rrugë të lirë sektorit privat, tani duket se kupton se gara globale nuk mund të fitohet vetëm me startupe dhe korporata; kërkon një makinë të centralizuar, të koordinuar dhe të orientuar drejt objektivave kombëtare.

Ai që kontrollon superkompjuterët dhe të dhënat kontrollon të ardhmen e energjisë, bioteknologjisë, mbrojtjes dhe ekonomisë.

Në këtë sens, Genesis Mission është një instrument i qartë i politikës së jashtme: një sinjal për botën se Amerika po zgjohet, po strukturohet dhe po rivendos hegjemoninë e saj teknologjike në mënyrë aktive.

Mirëpo përtej retorikës, nisma mbart edhe një dimension të qartë gjeopolitik.

Në një kohë kur Kina po investon në mënyrë agresive në AI, ku BE përpiqet të gjejë një identitet teknologjik dhe ku fuqitë e tjera po luftojnë për qasje në të dhënat dhe kapacitetet llogaritëse, SHBA po krijon një “fortesë të inteligjencës artificiale”, të bazuar mbi superkompjuterë nacionalë dhe platforma të mbyllura. Të dhënat federale—nga energjia bërthamore deri te mikroelektronika—kthehen në burimin e ri strategjik, në “naftën e shekullit XXI”.

Dhe ai që e kontrollon këtë burim nuk kontrollon vetëm tregun, por raportet globale të pushtetit. Me Genesis Mission, garat teknologjike nuk janë më një çështje inovacioni, por një çështje sigurie kombëtare.

Megjithatë, triumfi i mundshëm shkencor vjen i shoqëruar me dilema të errëta. Çfarë ndodh kur shteti grumbullon dhe unifikon në një platformë të mbyllur miliarda të dhëna, qindra laboratorë dhe inteligjenca artificiale të fuqishme?

A mund të rrezikohet transparenca e shkencës? A do të shndërrohet inovacioni në instrument të interesave politike?

Po gara globale, a do të nxisë militarizim të mëtejshëm të teknologjisë, një spirale ku çdo komb përpiqet të tejkalojë tjetrin në kapacitetin e AI-së? Kujtesa historike e Manhattan-it dhe Apollo-s na mëson se projektet e mëdha kanë fuqinë të shpëtojnë botën—por edhe të eklipsojnë sistemet demokratike nëse kontrollohen nga pak njerëz dhe pak institucione.

E megjithatë, nismat e mëdha janë ato që e kanë shtyrë përpara civilizimin. Genesis Mission mund të sjellë përparime në energjinë e pastër, zbulime në bioteknologji, inovacione që shkurtojnë vite kërkimi në minuta simulimi.

Mund të jetë instrumenti që e fut Amerikën në fazën e tretë të udhëheqjes globale, duke e rikthyer atë në qendër të hartës teknologjike botërore. Mund të jetë momenti kur shkenca dhe shteti punojnë bashkë për zhvillimin e njerëzimit, si në ditët e famshme të Apollo-s.

Por mund të jetë edhe momenti kur shtetet hyjnë në një garë të re të pakontrolluar, ku inteligjenca artificiale kthehet në fusha përplasjeje mes superfuqive.

Në këtë pikë, Genesis është një projekt i dyfishtë: një premtim i madh shkencor dhe një paralajmërim politik. Ai përfaqëson optimizmin teknik të epokës së re, por edhe tensionin e thellë të botës që po formësohet rreth AI-së.

Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën Genesis Mission një pikë kthese: ashtu si Manhattan-i dhe Apollo-ja, është një akt politik i përmasave historike, një krua e re force për Amerikën dhe një ogur për mënyrën se si do të kryqëzohet shkenca me pushtetin në dekadat që vijnë.

Nëse do të jetë një epokë e artë apo një garë e frikshme globale—kjo mbetet ende për t’u parë. Por një gjë është e qartë: epoka e tretë ka nisur.

Burimi origjinal: Launching the Genesis Mission – The White House