
JD Vance dhe Marco Rubio, të dy me sens të ngjashëm humori dhe me zyrat pranë njëra-tjetrës në Shtëpinë e Bardhë, kanë role kryesore në formësimin e politikës së jashtme të presidentit.
Por sa i përket Ukrainës, ata kanë pikëpamje shumë të ndryshme për rrugën drejt paqes, Vance mbështet një qasje “realiste” ndaj avantazhit ushtarak të Rusisë, ndërsa Rubio, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Putinit, përfaqëson krahun agresiv të Partisë Republikane. Zgjedhja e njërit prej tyre do të ndikojë në arkitekturën e sigurisë së botës perëndimore.

JD Vance dhe Marco Rubio kanë pikëpamje thellësisht të ndryshme mbi rrugën drejt paqes.
Javën e kaluar, zoti Vance dukej në pozicion dominues. Ishte ai që i telefonoi Volodymyr Zelensky për të paraqitur kushtet e planit 28-pikësh, i cili u kritikua gjerësisht si një “listë dëshirash” ruse, sipas Economist.
Pas atij telefonate, Dan Driscoll, sekretari amerikan i ushtrisë dhe një mik i ngushtë i zotit Vance që nga koha e tyre në Shkollën e Drejtësisë Yale, vizitoi personalisht Kievin. Zoti Driscoll paralajmëroi se durimi i presidentit po shteronte: Ukraina duhet të pranojë se po përballet me një kolaps në vijën e frontit dhe të dorëzojë territor Rusisë.

Daniel Driscoll (djathtas) takohet me Volodymyr Zelensky në Kiev të enjten.
Brenda Shtëpisë së Bardhë, politika shpesh hartohet nga nivelet e poshtme. Trump dëshiron një marrëveshje për Ukrainën, por ka lënë përbërësit e produktit përfundimtar në dorë të ndihmësve të tij.
Nëse ai do të kishte mbështetur plotësisht planin 28-pikësh, të formësuar nga Steve Witkoff, përfaqësuesi i tij kryesor për Rusinë, dhe Kirill Dmitriev, negociatori kryesor rus, Ukraina mund të ishte detyruar në fund të pranonte kapitullimin.
Por Trump ndaloi, duke thënë se nuk ishte “oferta ime përfundimtare” pas protestave në Kiev dhe Evropë. Kjo i dha mundësinë Marco Rubio të ndërhynte dhe që atëherë ai ka udhëhequr ditë intensive negociatash me një delegacion ukrainas në Gjenevë.
Deri të hënën pasdite, plani 28-pikësh raportohet se ishte reduktuar dhe riformuluar. Kërkesat më të kontestuara ndaj Ukrainës dorëzimi i territoreve të fortifikuara në Donbas, kufizimi i madhësisë së ushtrisë së saj dhe ndalimi i anëtarësimit në NATO janë zbutur dhe janë dërguar përsëri për vendimmarrje te presidentët në Kiev dhe Uashington.
Udhëheqësit evropian morën frymë lehtësisht me rikthimin e zotit Rubio, duke besuar se ai kishte bërë rolin e përfaqësuesit kryesor të presidentit për Ukrainën, pasi praktikisht pengoi një samit të dytë mes Trump dhe Putinit, duke argumentuar se Rusia nuk ishte e gatshme të bënte koncesionet e kërkuara.
Megjithatë, ata u surprizuan nga procesi paralel i paqes i udhëhequr nga Witkoff, i cili u takua me Dmitriev në Miami muajin e kaluar për të hartuar planin 28-pikësh.
Pas tre ditësh diskutimesh intensive, përfshirë edhe në shtëpinë e Witkoff, i dërguari i Trump përfundoi se Ukraina ndodhej në një pozicion më të dobët ushtarak, sipas burimeve të The Wall Street Journal.
Burimet thanë se të dy burrat, së bashku me Jared Kushner që ishte prezent gjatë diskutimeve, kishin opinione të ngjashme mbi formën që duhej të kishte propozimi i paqes, megjithëse zoti Dmitriev kishte ide shumë më të detajuara.
Zoti Dmitriev kërkoi që Ukraina të ndalohej të hynte në NATO, të tërhiqte trupat nga e gjithë zona e Donbasit dhe të vendosej një kufi për ushtrinë e saj pika këto që përfunduan në marrëveshjen fillestare.
Zoti Rubio nuk ishte i përfshirë në hartimin e propozimit dhe u informua për të vetëm kohët e fundit.
Ai mori një kopje të planit vetëm gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman më 18 nëntor. Disa orë më vonë, ekzistenca e planit u raportua për herë të parë nga Axios.
Një përpjekje e veçantë amerikane për të ndërmjetësuar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës, që ishte tashmë në zhvillim, u zhvendos menjëherë te plani i rrjedhur, raporton The Wall Street Journal. Nuk është e qartë se kush po udhëhiqte atë iniciativë.
Gjatë një bisede me senatorët gjatë fundjavës, që më vonë u rrjedh, thuhet se zoti Rubio e quajti planin thjesht një propozim rus (dokument i dukshëm i përkthyer në mënyrë të ngatërruar në anglisht). Më vonë ai u tërhoq publikisht, duke shkruar në X se ishte hartuar nga SHBA-ja me kontribut nga Rusia dhe Ukraina.
Steve Bannon, i cili shihet si i afërt me z. Vance, i tha The Telegraph se zoti Rubio ishte “poshtëruar” nga senatorët që rrjedhën kritikën e tij mbi marrëveshjen paraprake. Në lidhje me përpjekjen e rezistencës të udhëhequr nga sekretari i shtetit, ai shtoi: “Elita neokonservatore e Brukselit, Londrës dhe Uashingtonit rrethon karkasen e vdekur të Ukrainës, të cilën ata ndihmuan ta shkatërronin.”

Z. Rubio duket se u “poshtërua” nga senatorët që rrjedhën kritikat e tij ndaj draft-marrëveshjes.
Z. Rubio akuzoi Sir Keir Starmer, i cili ndërmori veprime për të organizuar kundërshtimin ndaj planit Witkoff me liderët e tjerë evropianë, se po “luante Churchill me premtime boshe për trupa, armë dhe para”.
Disa burime pranë Shtëpisë së Bardhë thonë se Vance dhe Rubio ende po punojnë së bashku, megjithëse në mënyrë të tërthortë. Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të ratifikohet nga Senati amerikan nëse përfshin angazhime në nivel traktati, si për garanci sigurie.
Një burim për The Telegraph tha se Rubio fillimisht ishte “izoluar nga çështja e Ukrainës”, me ekipin e presidentit që udhëhiqte procesin. Por më vonë ai u përfshi në “fazën 2” për të formësuar marrëveshjen në një formë që mund të pranohet nga Senati, i cili është më i ashpër ndaj Rusisë se Shtëpia e Bardhë.
Por një zyrtar amerikan i tha Washington Post: “Ka qenë kaos i plotë gjatë gjithë ditës sepse pjesë të ndryshme të Shtëpisë së Bardhë nuk e dinin se çfarë po ndodhte.”
Të shtunën, z. Vance lavdëroi personalisht planin me 28 pika, duke shkruar në X se “paqe nuk do të arrihet nga diplomatët e dështuar ose politikanët që jetojnë në një botë fantazie”. Zëvendëspresidenti shtoi se çdo marrëveshje duhet të ishte “e pranueshme për të dyja palët, Rusinë dhe Ukrainën”.
Deri të dielën në mbrëmje, duket se z. Rubio kishte rikuperuar kontrollin mbi negociatat.
Ai sinjalizoi se do të kishte ndryshime të konsiderueshme, duke përshëndetur “një përparim të jashtëzakonshëm” në Gjenevë dhe duke e quajtur planin Witkoff një dokument “në zhvillim”.
Të hënën, Financial Times raportoi se plani ishte shndërruar në një propozim me 19 pika, ku kërkesat më kontestuese ishin hequr.

Steve Witkoff (i dyti nga e majta) dhe Marco Rubio në Gjenevë për bisedimet e paqes për Ukrainën të dielën.
“Gjëja më e rëndësishme është që shqetësimet e Ukrainës të merren parasysh,” i tha një zyrtar evropian The Telegraph, duke përshëndetur punën në Gjenevë. Një burim tjetër diplomatik shtoi se pjesëmarrja e zotit Rubio në samitin SHBA-Ukrainë në qytetin zviceran nuk ishte konfirmuar me aleatët evropianë deri në minutat e fundit, një tregues i qasjes jo të koordinuar të Shtëpisë së Bardhë.
“Rubio erdhi në qytet duke u detyruar të tërhiqej dhe të riformulonte pozicionin e tij,” tha burimi. “Ky ishte në të vërtetë një plan i Witkoff dhe Kushner. Rubio ndodhet në një pozicion mjaft të vështirë.”
Herë pas here, Trump ka bërë shaka me zotin Vance dhe zotin Rubio si pasues të mundshëm në zgjedhjet e 2028-ës, madje duke spekuluar për mundësinë e një bilete të përbashkët “të pakapshme”.
Por sa i përket Ukrainës, presidenti nuk mund të ketë të dyja. Në fund, lideri i botës së lirë do të duhet të zgjedhë midis vizioneve të mbështetura nga dy anëtarët kyç të kabinetit të tij: ose të detyrojë Ukrainën të gjunjëzohet, ose të mbajë linjën kundër Rusisë së bashku me zotin Zelensky.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Telegraph
Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha