
Partia Demokratike i ka dërguar një notë verbale delegacionit të BE-së në Shqipëri lidhur me deklaratat e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.
Në letrën që mban firmën e kreut të grupit parlamentar Bardhi, thuhet se deklaratat e Kos minojnë besimin e qytetarëve shqiptarë te vlera e institucioneve evropiane.
Në letër PD thekson se respekton maksimalisht delegacionin e BE-së por se nuk është aspak dakord me deklaratën e Kos në intervistën e dhënë prej saj më 21 nëntor në krah të kryeministrit Rama në konferencën e përbashkët në kryeministri. Në atë deklaratë Kos tha se “zgjedhjet e 11 majit ishin të lira e të ndershme”.
“Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian.” – shkruan Bardhi.
Më tej në notë verbale renditen të gjitha citimet e raportit të OSBE/IDIHR pë zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri dhe problematikat shoqëruese.
Bardhi shton se zgjedhjet e lira e të ndershme kërkojnë kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit.
“Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël.” – nënvizon kreu i grupit parlamentar demokrat.
