
Opozita ka nisur sot tubimin e paralajmëruar si “Foltorja” para godinës së Kryeministrisë, me pjesëmarrjen e dhjetëra simpatizantëve të Partisë Demokratike.
Aktiviteti është planifikuar të zhvillohet në orën 18:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet të marrë fjalën edhe kreu i PD, Sali Berisha.
Berisha e ka cilësuar këtë tubim “Foltorja 2”, duke theksuar se qëllimi i saj shkon përtej çështjeve të brendshme të opozitës.
Sipas tij, foltorja synon “shpëtimin e Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni i qeverisë”. Ai deklaroi se beteja politike do të vazhdojë “deri në largimin e qeverisë dhe rikthimin e votës së lirë”.
“Foltorja nuk ka mision të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga krimi. Fundi i qeverisë do vijë nga ky shesh. Ne do vijojmë betejën tonë si misionarë dhe do vijojmë deri në largimin e tyre dhe rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha më herët.
Akuzat ndaj qeverisë për korrupsion, mungesë transparence dhe “heshtjen” e opozitës në parlament mbeten në qendër të protestës së sotme.
Për garantimin e rendit, policia ka marrë masa të shtuara sigurie përreth godinës së qeverisë. Janë vendosur barriera mbrojtëse dhe disa segmente rrugore pranë bulevardit janë bllokuar për qarkullim.