Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina nuk ka asnjë zgjedhje tjetër veçse të angazhohet me planin e paqes të SHBA-së.


Woodrow Wilson kishte 14 pika. Steve Witkoff ka 28. Por, ndërsa plani i paqes i Presidentit Wilson u prit me entuziazëm në Europë në vitin 1918, plani Witkoff për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është pritur me shqetësim.

Që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Ukraina dhe aleatët e saj europianë kanë pasur frikë se SHBA-të do të negocionin një marrëveshje paqeje drejtpërdrejt me Rusinë dhe më pas do të përpiqeshin t’ia impononin atë Kievit. Ky proces nisi të marrë formë javën e kaluar.

Trump i ka dhënë afat qeverisë së Zelensky deri të enjten për të vendosur nëse e pranon planin, i cili përfshin dorëzimin e disa territoreve Rusisë dhe kufizime të mëdha mbi sovranitetin e Ukrainës.

Tani ka tre mundësi kryesore. E para është që Ukraina ta refuzojë hapur planin, dhe Trump të zbatojë kërcënimin e nënkuptuar për t’i ndërprerë ndihmën vendit.

Mundësia e dytë është që propozimi i hartuar mes Steve Witkoff dhe Kirill Dmitriev, negociatorëve amerikanë dhe rusë, të shërbejë si bazë për bisedime. Në këtë skenar, ukrainasit me ndihmën e aleatëve në Europë dhe Uashington do të kenë mundësinë ta ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme planin.

Skenari i tretë është që mospërputhjet e shumta dhe pikat e paqarta të planit Witkoff-Dmitriev të çojnë në shpërbërjen e plotë të marrëveshjes. Si pasojë, lufta do të vazhdojë.

Një ndërprerje e plotë e ndihmës amerikane do ta linte Ukrainën në një situatë të zymtë dhe të rrezikshme. Edhe pse administrata Trump tashmë e ka kufizuar ndjeshëm mbështetjen për Kievin, ka ende disa kapacitete thelbësore amerikane nga të cilat Ukraina varet.

E para është inteligjenca, e cila e ka ndihmuar Ukrainën të mbrojë objektet e saj nga raketat ruse dhe të kryejë goditje të thella brenda territorit rus. Ukraina gjithashtu ka ende nevojë për municione amerikane. SHBA-ja nuk po i jep më vendit ndihmë ushtarake falas, siç ndodhte gjatë viteve të Bidenit. Por Trump ka rënë dakord t’i shesë Ukrainës pajisje ushtarake të paguara nga aleatët evropianë të Kievit.

Ukraina tashmë po has vështirësi të ndalë avancimet e Rusisë. Daniel Driscoll, sekretari i ushtrisë amerikane që i paraqiti planin Volodymyr Zelenskyy-t në Kiev, tha se “vlerësimi i sinqertë ushtarak i SHBA-së është se Ukraina ndodhet në një gjendje shumë të keqe.” Ushtarakë të lartë amerikanë kanë thënë gjëra të ngjashme privatisht prej shumë muajsh, duke argumentuar se ushtria ukrainase po vuan nga mungesë kritike e trupave dhe duke vënë në dukje rritjen e nivelit të dezertimeve.

Aleatët europianë të qeverisë Zelenskyy kundërshtojnë këtë përshkrim të luftës, duke thënë se Rusia po bën vetëm përparime graduale dhe se rritja e presionit mbi ekonominë e dobësuar ruse mund ta detyrojë Kremlinin të pranojë një marrëveshje shumë më pak të favorshme për interesat e saj.

Pavarësisht situatës reale në vijën e frontit, ndërprerja e mbështetjes së SHBA për Ukrainën do të rrisë dukshëm mundësinë e një përparimi ushtarak rus.

Duke pasur parasysh rreziqet me të cilat përballet, Ukraina e ka pranuar me hezitim propozimin Witkoff-Dmitriev si bazë për negociata duke shpresuar se, me mbështetjen e miqve të saj në Europë dhe Uashington, mund t’i zbehë ose fshijë aspektet më të këqija të tij.

Taktika të ngjashme kanë funksionuar edhe në të kaluarën. Pas takimit të dështuar Zelenskyy-Trump në Uashington në shkurt, diplomacia europiane ishte vendimtare për të tërhequr Amerikën nga një tradhti e plotë ndaj Ukrainës.

Driscoll, i afërt me zv/presidentin JD Vance, ishte i vendosur kundër “negociimit të detajeve” gjatë vizitës së tij në Kiev. Por vetë Trump ka filluar të tingëllojë më fleksibël, duke lënë të kuptohet se plani Witkoff “nuk është oferta ime përfundimtare”. Gjithashtu, ka kundërshtime të pazakonta brenda vetë Partisë Republikane të Trump dhe sugjerime se Marco Rubio, sekretari i shtetit, është distancuar nga këto propozime.

Zelenskyy dhe ekipi i tij do të kenë akoma vështirësi të mëdha për t’u angazhuar me një plan që sugjeron dorëzimin e territoreve që Ukraina ende mban dhe për të cilat ka humbur mijëra jetë duke i mbrojtur. Por është në interes të ukrainasve të luajnë me durim, duke pranuar negociatat në besimin se afati i së enjtes nuk do të mbetet dhe se propozimi Witkoff do të modifikohet pasi mangësitë dhe papërputhshmëritë e tij bëhen të dukshme.

Pavarësisht pritjes së kujdesshme të Vladimir Putinit për këtë plan, është e mundur që rusët të kenë kundërshtime dhe rezervime të tyre. Moska kërkon kufizime edhe më të rrepta për ushtrinë ukrainase dhe do të jetë armiqësore ndaj asaj që duket se është sugjeruar si një garanci sigurie për Ukrainën, e ngjashme me NATO-n.

Hyrja në bisedime mund t’u mundësojë ukrainasve të nxjerrin në pah kundërshtimet e Putinit. Kjo, nga ana tjetër, do të theksonte se Ukraina nuk është pengesa e vetme për paqen, duke e bërë më të vështirë për Trump të justifikojë ndalimin e ndihmës.

Por Ukraina nuk duhet të angazhohet me planin vetëm me qëllim ta dëmtojë atë. Mes shqetësimit në Kiev dhe zemërimit në Evropë, është e lehtë të harrohet se vetë Ukraina ka nevojë që lufta të marrë fund. Një marrëveshje e keqe paqeje mund të rrezikojë mbijetesën e vendit si një komb vërtet i pavarur. Por vazhdimi i luftës gjithashtu i shkakton dëm të thellë Ukrainës.

Gjatë pothuajse katër viteve, vendi ka pësuar qindra mijëra viktima. Miliona refugjatë kanë ikur nga Ukraina dhe popullsia e saj ka rënë me rreth 10 milionë, ose rreth një të katërtën, që nga pushtimi i plotë i Rusisë. Ekonomia është në gjendje kritike dhe shkalla e lindjeve po bie ndjeshëm.

Plani amerikan përbën rreziqe të mëdha për Ukrainën. Por nëse merret si pikënisje, jo si produkt i përfunduar ai mund të jetë ende një rrugë për të përfunduar luftën me kushte që Ukraina mund t’i pranojë.