
Bilanci i përmbytjeve shkatërruese në Vietnam është rritur në 90 viktima, ndërsa 12 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, njoftoi të dielën Ministria e Mjedisit, pas ditësh me reshje të dendura dhe rrëshqitje dheu që kanë goditur rëndë rajonin jugor dhe qendror të vendit.
Sipas autoriteteve, më shumë se 60 viktima janë regjistruar vetëm në Dak Lak, provincë malore në qendër të Vietnamit, ku dhjetëra mijëra banesa u përmbytën nga shirat që nuk kanë pushuar prej fund-tetorit. Në disa zona, reshjet e javës së fundit kanë kaluar 1,900 mm, sipas The Guardian.
Vietnami qendror, një zonë e njohur për prodhimin e kafesë dhe plazhet turistike, është goditur nga disa valë përmbytjesh, duke shkaktuar kaos në infrastrukturë dhe duke vënë në alarm agjencitë e shpëtimit.
Sipas mediave shtetërore, ekipet e emergjencës në Gia Lai dhe Dak Lak përdorën varka, thyen çatitë dhe hapën dritaret për të shpëtuar banorët e bllokuar nga ujërat. Ushtria, policia dhe forcat e tjera të sigurisë u mobilizuan për të evakuuar mijëra persona drejt zonave më të sigurta.
Në qytetin bregdetar Quy Nhon në provincën Binh Dinh, ekipet e shpëtimit u dërguan ushqime dhe ujë spitaleve të përmbytura, pasi mjekët dhe pacientët ishin detyruar të mbijetonin për tre ditë vetëm me ujë dhe noodles, raportoi gazeta shtetërore Thanh Nien.
Autoritetet e motit raportuan se nivelet e ujit në lumin Ba, në Dak Lak, tejkaluan rekordin e vitit 1993, ndërsa lumi Cai në provincën Khanh Hoa arriti po ashtu një nivel të ri historik.
Deri tani, më shumë se 235,000 banesa janë përmbytur dhe rreth 80,000 hektarë të mbjella janë dëmtuar, bëri të ditur agjencia kombëtare e fatkeqësive. Humbjet ekonomike llogariten në rreth 8.98 trilion dong (341 milionë dollarë).
Sipas statistikave zyrtare, ndërmjet janarit dhe tetorit të këtij viti, moti ekstrem ka shkaktuar 279 viktima (të vdekur ose të zhdukur) në Vietnam dhe ka prodhuar dëme mbi 2 miliardë dollarë.
Shkencëtarët thonë se ndërsa Vietnami është i ekspozuar ndaj reshjeve të dendura gjatë sezonit të verës, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po e bëjnë motin ekstrem gjithnjë e më të shpeshtë dhe më shkatërrues.