Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Plani i Trump mund të jetë baza për paqe në Ukrainë


Presidenti rus Putin tha të premten se propozimet e Shteteve të Bashkuara për paqe në Ukrainë mund të ishin baza e një zgjidhjeje të konfliktit, por theksoi se nëse Kievi e hedh poshtë planin, atëherë forcat ruse do përparojnë më tej në fushën e betejës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se i kishte dhënë Ukrainës deri të enjten për të pranuar një plan paqeje të SHBA-së që mbështet kërkesat kryesore ruse mbi NATO-n, territorin dhe njohjen e rajoneve të kontrolluara nga Rusia.

“Unë besoj se mund të përdoret si bazë për një zgjidhje përfundimtare paqësore,” u tha Putin zyrtarëve të lartë në një takim të Këshillit të Sigurimit Rus.

Putin shtoi se plani me 28 pika nuk ishte diskutuar ende në hollësi me Shtetet e Bashkuara, por se Moska kishte marrë një kopje të tij.

Putin tha se Ukraina ishte kundër planit, por se as Kievi dhe as fuqitë evropiane nuk po kuptonin realitetin se forcat ruse po përparojnë më shumë në Ukrainë dhe do vijojnë të përparojnë nëse nuk do ketë paqe.

Rusia kontrollon pak më shumë se 19% të Ukrainës, ose 115,500 km katrorë, një pikë përqindjeje më shumë se dy vjet më parë. Moska dëshiron të marrë kontrollin e të gjithë Donbasit, që përfshin Donjeckun dhe Luhanskun, si dhe të gjithë Khersonin dhe Zaporizhzhian.

Presidenti ukrainas Zelensky tha të premten se Ukraina rrezikonte të humbiste dinjitetin dhe lirinë e saj ose mbështetjen e Uashingtonit për shkak të planit të paqes të SHBA-së.

Putin tha se Rusia e kishte diskutuar planin e paqes të Trump-it përpara samitit të tyre të gushtit në Alaskë dhe se Moska kishte bërë kompromise siç ishte kërkuar nga Uashingtoni, shkruan Reuters.

“Administrata e SHBA-së deri më tani nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e palës ukrainase. Ukraina është kundër tij,” tha Putin.

Putin tha se forcat ruse kishin marrë kontrollin pothuajse të plotë të qytetit Kupiansk në verilindje të Ukrainës më 4 nëntor,  pavarësisht mohimeve të Kievit, dhe përparime të tilla do vijonin nëse Ukraina do hedhë poshtë planin e SHBA-së.

“Nëse Kievi nuk dëshiron të diskutojë propozimin e presidentit Trump dhe kundërshton ta bëjë këtë, atëherë si ata, ashtu edhe nxitësit evropianë të luftës duhet të kuptojnë se ngjarjet që ndodhën në Kupiansk do përsëriten në mënyrë të pashmangshme në sektorë të tjerë kyç të frontit,” tha Putin.