
Shirat intensive të ditës së sotme kanë mbajtur në nivele të larta prurjet në lumenjtë e qarkut Fier. Ndërsa në Memaliaj është shënuar një ulje e nivelit të lumit Vjosa, situata në Urën e Mifolit paraqitet krejt e kundërt.
Matjet e fundit tregojnë se Vjosa ka arritur kuotën 8.2 metra, duke shënuar një rritje të ndjeshme. Nëse prurjet vijojnë me të njëjtin intensitet, pritet që niveli të rritet më tej, duke rritur rrezikun për përmbytje në zonat e ulëta, tokat bujqësore dhe disa banesa pranë lumit.
Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa u bëjnë apel banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve atmosferike.