Vendosni fjalën kyçe....

Ibrahimaj: Jemi më pranë se kurrë BE-së, Shqipëria është rritur


 

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mbajti fjalën e saj në Parlament, ku theksoi se arsyeja pse Partia Socialiste fiton zgjedhjet lidhet me faktin se, sipas saj, “thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, një qasje që qytetarët shqiptarë e kanë konfirmuar ndër vite.

Ajo rikujtoi premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve të këtij viti, duke nënvizuar se progresi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, rritja e pensioneve dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve kanë qenë angazhime të përmbushura. Sipas saj, këto përbëjnë shtyllat kryesore të buxhetit të prezantuar nga qeveria.

Ibrahimaj e cilësoi këtë javë si një moment historik në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, duke iu referuar komisioneres Marta Kos, e cila, sipas saj, e ka përshkruar progresin e vendit si “mbresëlënës”.

Ministrja theksoi se Shqipëria sot është “më pranë se kurrë BE-së”, duke shtuar se të ardhurat janë rritur, paga mesatare ka arritur në 850 euro, ekonomia është konsoliduar dhe mirëqenia e qytetarëve vijon të përmirësohet.