
Një shpërthim në linjën hekurudhore që lidh Varshavën me Poloninë juglindore ka dëmtuar rëndë binarët gjatë fundjavës, një incident që kryeministri polak Donald Tusk e përshkroi si “një akt të paparë sabotimi”, përcjell Euronews.
Tusk vizitoi vendin e ngjarjes të hënën, duke theksuar rëndësinë strategjike të kësaj rruge për dërgimin e ndihmave drejt Ukrainës.
“Fatkeqësisht, dyshimet më të këqija u konfirmuan. Ka ndodhur një akt sabotimi në linjën Varshavë–Lublin. Një shpërthim ka shkatërruar shinat,” tha ai në një deklaratë.
Një mekanist treni raportoi parregullsi në shina rreth orës 07:40 të së dielës. Kontrollet e mëvonshme zbuluan një segment të dëmtuar pranë fshatit Mika, rreth 100 kilometra në juglindje të Varshavës.
Nuk dihet ende nëse shpërthimi ka ndodhur të shtunën vonë apo në orët e para të së dielës. Dy pasagjerë dhe disa punonjës ndodheshin në tren, por nuk pati të lënduar.
Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, njoftoi se ushtria do të inspektojë 120 kilometra të linjës Varshavë–Lublin–Hrubieszów, një korridor i rëndësishëm hekurudhor dhe rrugor drejt kufirit me Ukrainën.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Wiesław Kukuła, deklaroi se incidenti ishte i qëllimshëm, duke paralajmëruar për një fushatë më të gjerë destabilizimi.
“Sulmuesi ka nisur përgatitjet për luftë. Po krijon kushte për të minuar besimin publik ndaj qeverisë, ushtrisë dhe policisë,” tha ai për Polskie Radio. Ai shtoi se po ndërtohen “kushte të përshtatshme për një agresion të mundshëm ndaj territorit polak”.
Byroja e Sigurisë Kombëtare e cilësoi situatën “serioze”, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe komunikim të qartë ndërinstitucional.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi në një postim në X se “kërcënimet ndaj sigurisë sonë janë reale dhe po rriten”, duke bërë thirrje për forcimin urgjent të mbrojtjes së infrastrukturës kritike në BE.
Një incident tjetër ndodhi të dielën mbrëma, kur një tren në linjën Świnoujście–Rzeszów u detyrua të ndalonte rreth 50 kilometra nga Lublini për shkak të dëmtimit të kabllove elektrike të tensionit të lartë. Në bord kishte 475 pasagjerë, por as në këtë rast nuk pati të lënduar, bëri të ditur ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński.
Autoritetet polake kanë arrestuar dhjetëra persona që nga viti 2022 për dyshime mbi sabotim dhe spiunazh, në kontekstin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.