
Rusia ka finalizuar zhvillimin e raketës së saj lundruese me reaksion bërthamor Burevestnik, një armë që inteligjenca perëndimore e konsideron si një kërcënim të madh për mbrojtjen e NATO-s, sipas një dokumenti të klasifikuar të aleancës, raportuar nga gazeta gjermane Die Welt, cituar nga Euronews.
Raketa, e njohur nga NATO me emrin SSC-X-9 Skyfall, mund të arrijë shpejtësi mbi 900 km/orë, ka manovrueshmëri të lartë dhe mund të lëshohet nga platforma mobile, thuhet në dokumentin e inteligjencës së NATO-s.
Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi tre javë më parë se testet e raketës kanë qenë të suksesshme.
Reaktori bërthamor i raketës i mundëson një rreze teorikisht të pakufizuar, duke i lejuar të udhëtojë dhjetëra mijëra kilometra pa u furnizuar, të qëndrojë për periudha të gjata në ajër, të ndryshojë drejtim dhe të sulmojë nga çdo pikë.
Dokumenti i NATO-s paralajmëron se “sfidat ekzistuese do të rëndohen edhe më shumë nga rrezja ekstreme dhe manovrueshmëria” e saj. Rruga indirekte e fluturimit dhe mundësia për të shmangur mbrojtjen ajrore perëndimore, përfshirë edhe korridoret jugore dhe zonat polare me mbikëqyrje të ulët, e bëjnë sistemin tepër të vështirë për t’u ndalur.
Megjithatë, disa ekspertë vërejnë se raketa nuk është hipersonike dhe bëhet më e cenueshme sa më gjatë të qëndrojë në ajër.
NATO po analizon gjithashtu edhe raketën e re mobile me rreze të mesme nga Rusia, SS-X-28 Oreshnik, e testuar për herë të parë në Ukrainë në nëntor 2024. Ekspertët perëndimorë janë të shqetësuar për rrezen e saj prej deri në 5.500 kilometrash dhe mundësinë e pajisjes me koka të ndryshme shpërthyese, përfshirë ato bërthamore.
Dokumenti thekson se kombinimi i rrezes së lartë dhe mobilitetit të lëshuesit siguron mbijetesë të madhe të sistemit, ndërsa paqartësia për llojin e kokës luftarake përbën sfidë për mbrojtjen e NATO-s.
Bjellorusia do ta dislokojë raketën Oreshnik në dhjetor, njoftoi zëdhënësja e presidentit Aleksandër Lukashenko. Sipas saj, vendimi është marrë në përgjigje të “përshkallëzimit perëndimor”.
Dokumenti i NATO-s përfshin edhe drinin nëndetar bërthamor Poseidon, i cili pritet të jetë operacional deri në vitin 2030. Sistemi ka rreze të madhe veprimi dhe është projektuar, sipas dokumentit, për të “shkatërruar bazat detare, portet dhe qytetet bregdetare”, përfshirë në SHBA, MB dhe Francë.
NATO pranon se aktualisht nuk ka torpedo kundër-nëndetëse me shpejtësinë dhe rrezen e nevojshme për të ndaluar Poseidon-in.
Disa ekspertë mbeten skeptikë për armën e re. Fabian Hoffmann, studiues në Universitetin e Oslos, e quajti Burevestnik-un një armë “të padobishme dhe të panevojshme”.
Testimet e mëparshme kanë qenë tragjike: në vitin 2019, pesë shkencëtarë rusë u vranë gjatë një testi të raketës, dhe u raportua rritje e nivelit të rrezatimit në zonë. Ende nuk është e qartë nëse ka pasur viktima nga ekspozimi radioaktiv.
SHBA braktisi këtë koncept që në vitet 1950 për shkak të rreziqeve të mëdha.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se rreziku më i madh i raketës është momenti i lëshimit. Nëse goditet në ajër, materiali radioaktiv mund të shpërndahet gjerësisht, “si një Çernobil i vogël në qiell”, tha William Alberque, ish-drejtor i kontrollit të armëve në NATO.
Por ekspertë të tjerë si Pavel Podvig paralajmërojnë të mos ekzagjerohet: nuk ka prova për rrjedhje radioaktive në testet e fundit, megjithatë një aksident gjatë ngritjes ose fluturimit mbetet shumë i rrezikshëm.