
Një 45-vjeçar shqiptar humbi jetën tragjikisht mëngjesin e së shtunës në Mytilene, pasi u rrëzua nga çatia e një shtëpie ku po punonte. Ngjarja ndodhi në zonën pranë aeroportit, ndërsa rrethanat e aksidentit nuk janë zbardhur ende.
Sipas mediave lokale, viktima, i cili kishte vite që jetonte në Lesvos dhe ishte mjaft i njohur e i dashur në komunitet, punonte zakonisht në një restorant, por shpesh merrte edhe punë të dyta për të plotësuar të ardhurat. Gjatë një prej këtyre angazhimeve humbi edhe jetën.
Qendra e Punës në Mytilene dënoi ngjarjen dhe njoftoi një protestë sot, të dielën, në orën 12:00 në Sheshin Sappho. Në deklaratë theksohet se pagat e ulëta dhe kostoja e lartë e jetesës detyrojnë shumë punëtorë të marrin disa vende pune, ndërsa mungesa e masave mbrojtëse në vendin e punës vijon të rrezikojë jetën e tyre.
Sipas Qendrës së Punës, përgjegjësia bie mbi politikat e qeverisë aktuale dhe të mëparshme, të cilat nuk kanë garantuar sigurinë minimale për punëtorët. Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e aksidentit.