
Stuhia Claudia ka shkaktuar tre viktima dhe dhjetëra të plagosur në Portugali, njoftuan autoritetet të shtunën, ndërsa në Britani ekipet e shpëtimit po organizonin evakuime për shkak të përmbytjeve të mëdha në Uells dhe Angli, përcjell Reuters.
Portugalia dhe pjesë të Spanjës fqinje janë goditur prej ditësh nga moti ekstrem që solli stuhia, e cila të shtunën kishte mbërritur edhe në Britani dhe Irlandë.
Të enjten, ekipet e shpëtimit gjetën trupat e një çifti të moshuar në shtëpinë e tyre të përmbytur në Fernao Ferro, në anën tjetër të lumit Tagus nga Lisbona. Dyshohet se ata po flinin dhe nuk arritën të largoheshin teksa uji u rrit gjatë natës.
Të shtunën, një tornado goditi Albufeirën në jug të Portugalisë. Pamjet e publikuara online tregonin karavane të shkatërruara në një zonë kampingu. Komandanti rajonal i mbrojtjes civile, Vitor Vaz Pinto, tha se si pasojë humbi jetën një grua britanike 85-vjeçare.
Ai shtoi se 28 persona u plagosën në një hotel aty pranë, dy prej të cilëve u shtruan në spital me lëndime të rënda.
Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Në Mbretërinë e Bashkuar, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje të konsiderueshme në Uells dhe Angli, duke detyruar ekipet e shpëtimit të nisin evakuime në disa zona, ndërsa stuhia përparonte drejt veriut.
Shërbimi meteorologjik portugez IPMA vendosi të gjithë rajonin e Algarve-s, si edhe distriktet Beja dhe Setubal, në nivelin portokalli të alarmit — paralajmërimi i dytë më i lartë për rreziqe nga moti ekstrem.