Vendosni fjalën kyçe....

I dërguari amerikan Steve Witkoff pritet të takojë kryenegociatorin e Hamasit për bisedimet e armëpushimit



Sipas
JPost, që citon një raportim të The New York Times, i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, po planifikon të zhvillojë së shpejti një takim me Khalil al-Hayya, kryenegociatorin e Hamasit. Lajmi, i konfirmuar nga dy burime të njohura me zhvillimet, vjen në një moment kur Uashingtoni dhe Jerusalemi zyrtar shohin çdo kontakt me Hamasin si një hap të ndjeshëm politikisht.

Gazeta nuk jep një datë të saktë për takimin, ndërsa ende po përcaktohet edhe momenti kur Witkoff do të rikthehet në Lindjen e Mesme. Bisedimet pritet të fokusohen tek armëpushimi në Gaza dhe hapat e ardhshëm në procesin diplomatik.

Si përfaqësuesit e Witkoff-it, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të Hamasit kanë refuzuar të komentojnë mbi takimin e planifikuar. Raporti thekson se kontakti i mundshëm vjen në një kohë kur SHBA dhe Izraeli janë të shqetësuar se negociatat e hapura me Hamasin mund të interpretohen si lëshime ndaj grupit.

Ndërkohë, raporti vjen në vijim të angazhimeve intensive të administratës amerikane për zbatimin e planit të paqes së presidentit Trump për Gazën. Vizita e fundit e Jared Kushner në Izrael u përqendrua në çarmatosjen e Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe përcaktimin e fatit të rreth 200 luftëtarëve të Hamasit të bllokuar në një tunel në zonën e Rafahut.

Si Witkoff ashtu edhe Kushner janë takuar muajin e kaluar me kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar zhvillimet më të fundit në terren. Forumet e familjarëve të pengjeve kanë falënderuar zyrtarët amerikanë për përfshirjen e tyre, duke shprehur frikën se fatet e të afërmve të tyre mund të harrohen ose të mbeten të pazbardhura për vite me radhë.

Raporti kujton gjithashtu intervistën ekskluzive për “60 Minutes”, të filmuar pak ditë para se Hamas të thyejë armëpushimin me një sulm kundërtank. Në intervistë, Witkoff dhe Kushner rrëfyen prapaskenat e negociatave, reagimet pas sulmit në Doha dhe emocionet e rikthimit të pengjeve në atdhe.

Takimi i pritshëm mes Witkoff dhe al-Hayya shihet si një tjetër përpjekje diplomatike në një moment kritik për rajonin, teksa bisedimet për armëpushim mbeten të brishta dhe tensionet në Gaza vazhdojnë.