
Shtetet e Bashkuara do të ulin tarifat doganore për mallrat zvicerane nga 39% në 15%, në kuadër të një marrëveshjeje të re kornizë tregtare, konfirmoi të premten qeveria zvicerane, sipas Reuters.
Lajmi erdhi pasi përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, deklaroi se SHBA ka “arritur në thelb një marrëveshje me Zvicrën” dhe se detajet do të publikohen gjatë ditës.
Zyra e Tregtisë së SHBA-ve bëri të ditur se marrëveshja përfshin zhvendosjen e një pjese të prodhimit zviceran në territorin amerikan.
“Zvicra do të zhvendosë shumë prodhim në SHBA, farmaceutikë, përpunim ari, pajisje hekurudhore. Jemi shumë të entuziazmuar për këtë marrëveshje dhe për atë që do të thotë për prodhimin amerikan,” tha Greer për CNBC.
Ndërsa tarifa e re nuk u konfirmua zyrtarisht nga pala amerikane, Zvicra njoftoi se niveli do të jetë 15%, i njëjti që BE arriti më herët për eksportet europiane drejt SHBA-së.
Reagimet në industrinë zvicerane
Grupet industriale në Zvicër e pritën me entuziazëm marrëveshjen, pasi ajo vendos kompani zvicerane në të njëjtat kushte konkurruese me prodhuesit e Bashkimit Europian.
“Për sektorin industrial, që ishte nën tarifën ndëshkuese 39% që prej 1 gushtit, ky është një lajm i shkëlqyer. Për herë të parë kemi të njëjtat kushte në tregun amerikan si konkurrentët tanë europianë,” deklaroi Nicola Tettamanti, president i Swissmechanic, shoqata që përfaqëson prodhuesit e vegjël dhe të mesëm.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sfida ekonomike mbeten. “Tarifat po lehtësohen ndjeshëm, por ngarkesat dhe rreziqet e tjera ekonomike për Zvicrën mbeten,” tha Hans Gersbach nga KOF, Instituti i Ekonomisë i ETH Zurich.
Sipas KOF, rritja ekonomike e Zvicrës pritet të jetë 0.9% në vitin 2026, por me uljen e tarifave mund të tejkalojë 1%.
Rënia e eksporteve dhe negociatat në Washington
Sektorët më të goditur nga tarifat ekstreme 39% kanë qenë makineritë, instrumentet e precisitetit, ora×bërësit dhe industria ushqimore. Vetëm në tre muajt deri në shtator, eksportet zvicerane drejt SHBA ranë me 14%, ndërsa eksportet e makinerive ranë 43%, sipas Swissmem.
Ministri zviceran i Ekonomisë, Guy Parmelin, u kthye të premten nga Washingtoni, ku zhvilloi bisedime me Jamieson Greer.
“Ne sqaruam pothuajse gjithçka,” deklaroi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme, ndërsa theksoi se komunikimi final do të bëhet sapo të jetë “gjithçka plotësisht e qartë”.
Marrëveshja përfaqëson një lehtësim të madh për industrinë zvicerane dhe një fitore diplomatike në marrëdhëniet tregtare me Uashingtonin, ndërsa SHBA përfiton nga zhvendosja e prodhimit dhe investimet e reja në territorin e saj.