Vendosni fjalën kyçe....

Noka: Balluku ka vepruar me urdhër të Ramës, PD nis të hënën protestat para Kryeministrisë


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka zbardhur skenarin e protestës që opozita do të zhvillojë të hënën para Kryeministrisë, me fokus skandalin e tunelit të Llogarasë dhe akuzat ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

I ftuar në News24, Noka deklaroi se Balluku “nuk ka vepruar kurrë vetëm”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka dhënë urdhër për çdo veprim të saj në aferën 190 milionë euro të tunelit. Sipas tij, kjo është arsyeja pse Rama “nuk guxon ta shkarkojë” zv.kryeministren.

“Pse Rama nuk guxon ta lëshojë Ballukun? Sepse s’ka bërë asgjë pa urdhrin e Ramës. Prandaj themi për dyshen Rama–Balluku. Balluku është thjesht një ushtare e narkosit dhe ka zbatuar çdo urdhër të Ramës,” tha Noka.

Ai paralajmëroi se protesta e të hënës do të marrë të njëjtën formë si ajo që PD zhvilloi përballë Bashkisë së Tiranës kundër Erion Veliajt, duke shtuar se opozita do të “instalohet” çdo javë përballë Kryeministrisë.

“Ne çelim të hënën siparin e protestave, identik siç kemi bërë te Lali vjedhësi, para Kryeministrisë. Do të jetë i gjithë grupi parlamentar. Çdo javë aty. Narkosi po tenton të sfumojë jetën parlamentare në vend.”

Noka u ndal edhe te cilësia e punimeve në tunelin e Llogarasë, duke theksuar se sipas kompanisë supervizore greke, defektet janë serioze:

“Në projekt ishin urat. I ka parë kush? Greku supervizor flet për punime me cilësi të dobët. Atje ka rrezik për jetën.”

Ai shtoi se PD nuk do të bojkotojë parlamentin, por do të “diversifikojë aksionin opozitar”, duke mbajtur njëkohësisht presion në Kuvend dhe protesta javore para zyrës së kryeministrit.

“Termi bojkot nuk do të ekzistojë. Mund të thërrisnim edhe një protestë kombëtare, por zgjodhëm këtë strategji. Do të spostohet Parlamenti poshtë kreut të narkos dhe Belindës,” tha Noka.