
Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Bashkinë e Tepelenës, ku fitues është shpallur kandidati i Partisë Socialiste, Gramos Sako, me 3.261 vota, që përbëjnë 77.8% të totalit.
Kandidati kundërshtar, Gabriel Guma, ka siguruar 928 vota, ose 22.2% të votave të numëruara.
Pas shpalljes së rezultatit, Sako u shpreh se fushata, ndonëse e shkurtër, ishte moderne dhe e përqendruar te qytetari.
“Edhe pse ishte një fushatë e shkurtër, ishte një fushatë moderne. Pavarësisht kushteve atmosferike, qytetarët e Tepelenës dolën dhe votuan duke shprehur vullnetin e tyre. Nga sot është detyrimi im, në radhë të parë, që t’u shërbej qytetarëve për të vijuar punët e nisura dhe për të vazhduar projektet në të ardhmen. Mirënjohës pafund për çdo qytetar të Tepelenës, mirënjohës për Partinë Socialiste,” deklaroi Sako.
Nga ana e tij, Gabriel Guma pranoi rezultatin dhe e cilësoi procesin si një moment reflektimi për opozitën.
“Pritshmëritë e mia ishin shumë të mira, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kemi pjesëmarrjen e njerëzve pa imponim për të ardhur për të votuar,” tha ai.
Guma theksoi se nuk e sheh rezultatin si humbje personale.
“Unë nuk e konsideroj humbje personale, por një humbje për një ringjallje sociale. Jo humbja ime, sepse unë jam i ri. Për mua politika sapo ka nisur dhe nga gabimet mësohet – sepse edhe unë kam bërë plot gabime gjatë kësaj fushate,” u shpreh ai.
