Vendosni fjalën kyçe....

Jared Kushner merr “dritën jeshile” për “Hotelin Trump” në qendër të Beogradit


Firma e investimeve e Jared Kushner fiton mbështetjen për ta kthyer selinë e bombarduar të Ministrisë së Mbrojtjes së ish-Jugosllavisë në një resort luksoz.

Serbia ka miratuar ndërtimin e një hoteli të markës Trump në vendin e bombardimit të NATO-s në vitin 1999 në Beograd.

Ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes u dëmtua rëndë gjatë sulmeve ndaj Jugosllavisë nga forcat aleate gjatë Luftës së Kosovës.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka kërkuar ta kthejë vendin në një hotel luksoz prej 500 milionë dollarësh me firmën e tij të investimeve me bazë në Miami, Affinity Partners.

Një ligj i posaçëm u votua në parlamentin serb të premten, duke e klasifikuar rizhvillimin si urgjent, me 130 vota pro dhe 40 kundër.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili e ka pritur Kushner-in disa herë, ka dhënë mbështetjen e tij personale për planet e diskutueshme për ndërtesën e njohur si Generalštab (Shtabi i Përgjithshëm).

Kundërshtimi ndaj planeve

Plani ka hasur në kundërshtim të fortë nga grupe që pretendojnë se ndërtesa është një memorial lufte dhe i vetmi shembull i mbijetuar i veprës së Nikola Dobrović, arkitektit modernist të epokës jugosllave.

“Shembja e Generalštab-it nuk duhet të ndodhë. Ne do ta mbrojmë atë,” i thanë The Telegraph të dielën arkitektet e Beogradit Katarina dhe Marina, nga grupi qytetar arh.politicne.

“Duke pasur parasysh tronditjen që ka shkaktuar ky vendim, ne presim që në ditët në vijim të ndodhin veprime të ndryshme – protesta paqësore dhe nisma të udhëhequra nga kolektiva të ndryshëm aktivistë dhe profesionistë – të gjitha që synojnë rritjen e presionit publik dhe parandalimin e kësaj,” shtuan ato.

Për shumë njerëz në Serbi, rrënoja ikonike është një kujtesë e fortë e fushatës ajrore 78-ditore në vitin 1999, kur avionët e NATO-s shënjestruan regjimin e Slobodan Millosheviqit për sulmet e tij në Kosovë, duke përdorur raketa Tomahawk të lëshuara nga anijet dhe nëndetëset e SHBA-së jashtë brigjeve të Italisë.

Kompleksi i Generalštab (Shtabit të Përgjithshëm) u godit dy herë më 29 prill dhe edhe një herë në maj të vitit 1999.

“Ju po sakrifikoni historinë e kombit për të kënaqur Trump-in dhe po planifikoni të derdhni shampanjë aty ku dikur ranë bomba,” tha politikania e shquar opozitare Marinika Tepiç për miratimin e ligjit të posaçëm nga parlamenti që heq mbrojtjet e trashëgimisë.

“Toka mbi të cilën qëndron kompleksi i përket ushtrisë serbe dhe ndodhet në një nga pjesët më qendrore dhe më të vlefshme të Beogradit,” i tha The Telegraph një arkitekt serb, i cili nuk dëshironte të përmendej me emër.

“Dorëzimi i këtij vendi te investitorët privatë të lidhur me familjen e Donald Trump, te e njëjta palë që nisi bombardimin e vitit 1999, shihet nga shumica e njerëzve këtu si një akt tradhtie i papranueshëm dhe simbolik.”

Megjithatë, për shumicën e parlamentit, ndërtesa e shkatërruar është një një pamje e shëmtuar, rizhvillimi i së cilës ka kaluar kohën e duhur.

Affinity Global Development planifikon të ndërtojë një hotel, apartamente, dyqane dhe zyra në vendin e ish-shtabit të ushtrisë.

Përfitimet e mundshme diplomatike të Beogradit

Parlamentari serb Milenko Jovanov premtoi se kjo do e shndërronte qytetin në një “destinacion që nuk duhet humbur” nga turistët që udhëtojnë nëpër Evropë.

Ai gjithashtu tha se kjo lëvizje mund të ndihmojë në fitimin e favoreve nga administrata Trump.

Ligjvënësi tha: “Nëse hoteli do çojë në përmirësimin e marrëdhënieve me administratën Trump, me Shtetet e Bashkuara, sinqerisht, unë do ta dëshiroja këtë.”

“Trump Tower Belgrade” ka filluar shitjet
Faqja e internetit e “Trump Tower Belgrade” tashmë ka postuar një maket dhe ka filluar të reklamojë parashitjet për “luksin e pakrahasueshëm”.

“E vetmja gjë që mungon është videoja e stilit të Gazës,” vuri në dukje gazeta italiane Corriere della Sera të dielën, në lidhje me një video që Trump postoi duke përshkruar rindërtimin e Gazës.

Deklarata e Gjeneralit Wesley Clark

Gjenerali Wesley Clark, komandanti i NATO-s që mbikëqyri fushatën e bombardimeve, pretendon se askush nuk u vra në sulme.

Ai gjithashtu është shprehur kundër projektit, duke thënë se kërkesa e qeverisë serbe që në vend të Generalštab-it të ndërtohet një kompleks memorial kushtuar të gjitha viktimave të sulmit të NATO-s, do përbënte një akt tradhtie ndaj trupave të NATO-s që morën pjesë në fushatë gjatë konfliktit Serbi-Kosovë.

Vuçiç është përballur me protesta në rritje kundër korrupsionit dhe thirrje për zgjedhje të parakohshme që nga shembja e një stacioni treni të ndërtuar keq në qytetin e Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Firma e investimeve e Kushner nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

VINI RE: Ky material është pronësi intelelektuale e The Telegraph

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani