Kjo garë lokale, që do të prodhojë drejtuesit e rinj për një mandat të shkurtër prej një viti e gjysmë, është zhvilluar pa protagonizëm politik.
Në Vlorë, Brunilda Mersini synon drejtimin e bashkisë, ku përballet me Dionis Sotën, kandidatin e mbështetur nga Partia Demokratike, dhe Gjergj Nikën nga Partia Demokratike e Rithemeluar. Në Berat, socialistët kanë propozuar Ervin Cecën, ndërsa përballë tij është Pavlo Shkarpa.
Në Mat, gara zhvillohet mes tre kandidatëve, Altin Bojni nga PS, Suzana Pasha ish-drejtuesja lokale e Forumit të Gruas Socialiste që garon si e pavarur dhe Eduart Brahilika, kandidati i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të përballet me të pavarurin Amarildo Hoxha, i cili ka marrë mbështetjen e demokratëve të Berishës, si dhe me Eligert Himën nga partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Ndërsa në Tepelenë, socialistët garojnë me Gramoz Sakon, përballë të pavarurit të mbështetur nga opozita, Gabriel Guma.
Asnjë nga liderët e partive të mëdha, Edi Rama apo Sali Berisha, nuk është përfshirë drejtpërdrejt në fushatë, e cila është vlerësuar si më e qeta në vitet e fundit.