Vendosni fjalën kyçe....

Gunvor tërhiqet nga blerja e aseteve të Lukoil pasi SHBA e quajti “Kukull e Kremlinit”


Kompania tregtare zvicerane e naftës dhe gazit, Gunvor, ka tërhequr ofertën për të blerë asetet ndërkombëtare të gjigantit rus të energjisë Lukoil, pasi Departamenti i Thesarit i SHBA-së e quajti kompaninë “kukull të Kremlinit” dhe sinjalizoi se Uashingtoni ishte kundër marrëveshjes.

Lajmi u konfirmua të enjten nga Gunvor, e cila deklaroi se vendimi pason “një keqkuptim të thellë” nga autoritetet amerikane, ndërsa theksoi se është e gatshme “të korrigjojë çdo keqinformim”.

“Deklarata e Thesarit është thellësisht e gabuar dhe e pavërtetë. Megjithatë, për momentin Gunvor tërheq propozimin për blerjen e aseteve ndërkombëtare të Lukoil,” tha drejtori i çështjeve korporative të kompanisë, Seth Pietras, në një reagim për Reuters.

Departamenti i Thesarit publikoi një mesazh në platformën X, ku theksoi se Presidenti Donald Trump kishte qenë i qartë se “lufta duhet të përfundojë menjëherë” dhe se “për sa kohë që Vladimir Putin vazhdon vrasjet e pakuptimta, kukulla e Kremlinit, Gunvor, nuk do të marrë kurrë licencë për të operuar dhe përfituar.”

Vendimi i Gunvor vjen pas sanksioneve të reja amerikane ndaj Lukoil, të vendosura muajin e kaluar, në përpjekje për të prerë të ardhurat që Rusia përdor për të financuar luftën në Ukrainë.

 

Lukoil nën presion për të shitur asetet jashtë vendit

Lukoil, kompania e dytë më e madhe e naftës në Rusi, po përballet me një afat deri më 21 nëntor për të përfunduar shitjen e aseteve të saj ndërkombëtare, pas urdhrit të Thesarit amerikan për ndërprerjen e çdo transaksioni me kompaninë.

Asetet që Lukoil synonte t’i shiste përfshinin rafineri në Europë, pjesëmarrje në fusha nafte në Kazakistan, Uzbekistan, Irak dhe Meksikë, si dhe qindra pika karburanti në disa vende të botës.

Sipas analistëve të brokerimit PSB në Moskë, afati i ngushtë mund të detyrojë kompaninë të shesë asetet “me një zbritje të ndjeshme” dhe të përballet me “vështirësi në rikthimin e fondeve”.

Analistët e BCS theksuan se pas dështimit të marrëveshjes me Gunvor, Lukoil mund të fokusohet tani te gjetja e blerësve për asetet e mbetura nën sanksione, sidomos në Bullgari, Rumani dhe Irak, ku kompania mban pjesë kontrolluese mbi 50%.

Ky ishte projekti më i madh i blerjes që Gunvor kishte planifikuar ndonjëherë, por burime financiare i thanë Reuters se marrëveshja ishte e vështirë për t’u realizuar, pasi e tejkalonte ndjeshëm kapacitetin e huamarrjes së tregtarit zviceran.