Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon aferë me fondet e rindërtimit në Durrës: Projekti i financuar nga BE u hodh poshtë për të favorizuar marrëveshjen me AADF


Anëtari i Kryesisë së FRPD, Orest Berberi, ka akuzuar Bashkinë e Durrësit dhe qeverinë për një aferë që, sipas tij, lidhet me keqpërdorimin e fondeve të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.

Në një deklaratë për mediat, Berberi tha se një projekt i përfunduar në shkurt të vitit 2021 nga studiot shqiptare “SON Engineering & Construction” dhe “A&E Engineering”, i financuar me paratë e taksapaguesve europianë, është injoruar për të favorizuar një marrëveshje të re me Fondacionin AADF.

“Sot kemi të bëjmë me një projekt koncesionar, ku AADF shpallet si donator me 6.7 milionë euro, por që përfiton trefishin e kësaj shume brenda 15 viteve. Ndërkohë, qytetarët e Durrësit humbasin pronat e tyre pa u pyetur,” deklaroi ai.

Berberi ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë përdorur fondet publike të rindërtimit dhe kërkoi hetim të menjëhershëm nga SPAK, si dhe ndalimin e çdo veprimi që, sipas tij, cënon pronat e qytetarëve pa konsultim publik.

Në vijim të deklaratës, ai akuzoi kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, kryeministrin Edi Rama, si dhe ish-ministrat e Kulturës për bashkëpërgjegjësi në këtë proces. Sipas tij, “projekti i AADF-së është një skemë që po shkatërron pronën dhe trashëgiminë e qytetarëve të Durrësit, nën maskën e rilindjes kulturore”.

Berberi theksoi se projekti i miratuar nga Bashkia në vitin 2020 ishte financuar me fondet e BE-së për rindërtimin dhe se duhej zbatuar, jo të zëvendësohej nga një marrëveshje e re pa transparencë.

Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë mbi fondet e tërmetit, hetim të projekteve të mbivendosura dhe ndalimin e çdo marrëveshjeje që prek pronat e qytetarëve pa proces të drejtë dhe konsultim publik.

“Durrësi nuk ka nevojë për donacione që fshehin interesa, por për drejtësi, llogaridhënie dhe dinjitet,” përfundoi Berberi.