Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet e Berishës ndaj Gonzatos, Marta Kos: Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë thelbësore e ligjit të BE-së


Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Sali Berishës, i cili shënjestroi ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, duke i përmendur prirjet e tij seksuale dhe duke e akuzuar se “po i imponon shoqërisë shqiptare bindjet e veta personale” lidhur me projektligjin për barazinë gjinore.

Në një deklaratë të bërë në platformën X, Kos dënon gjuhën e përdorur nga kreu i Partisë Demokratike dhe thekson se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale të ligjit të Bashkimit Evropian dhe përputhja me këto parime është pjesë e procesit të pranimit të Shqipërisë në BE.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm,” shkruan Marta Kos.

Deklarata e saj vjen pas fjalimit të Berishës, ku ky i fundit kritikoi publikisht ambasadorin Gonzato për mbështetjen e projektligjit për barazinë gjinore, duke thënë se “nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare bindjet e veta personale”.