
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas rrëzimit të një avioni mallrash të kompanisë UPS pranë aeroportit në Luisvill, ku humbën jetën të paktën nëntë persona, përcjell REL.
Avioni, i tipit MD-11 dhe i prodhuar 34 vjet më parë, u përfshi nga flakët pak pas ngritjes, duke u rrëzuar në një zonë industriale pranë aeroportit. Përplasja shkaktoi shpërthime dhe shkatërroi dy biznese, ndërsa vonoi edhe operacionet e transportit ajror të UPS-it.
Beshear tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të mundësojë mobilizimin më të shpejtë të burimeve për kërkim-shpëtim dhe hetime. Ai paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet, pasi disa persona vijojnë të konsiderohen të zhdukur.
Sipas zyrtarëve amerikanë, në bord ndodheshin tre anëtarë të ekuipazhit, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit. Rreth 200 zjarrfikës dhe 50 automjete emergjence u angazhuan për shuarjen e flakëve, ndërsa 11 persona u dërguan në spital, dhe dy ndodhen në gjendje kritike.
Aeroporti ndërkombëtar i Luisvillit është rihapur për trafik të mërkurën, por pista ku ndodhi përplasja pritet të qëndrojë e mbyllur për të paktën 10 ditë. Ndërkohë, UPS ka pezulluar disa operacione.
Hetimet po drejtohen nga Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit të SHBA-së (NTSB), ndërsa kompania GE Aerospace, prodhuesja e motorëve të avionit, ka ofruar ndihmë teknike.
Avioni ishte mbushur plot me karburant për një fluturim prej tetë orësh e gjysmë drejt Honolulu-t, ndërsa ky është aksidenti i parë fatal i UPS-it që nga viti 2013, kur një avion i ngjashëm u rrëzua në Alabama.