Vendosni fjalën kyçe....

Projektbuxheti 2026: 886.8 miliardë lekë, rritje pagash, pensionesh dhe investimesh publike


Projektbuxheti për vitin 2026 është planifikuar në vlerën 886.8 miliardë lekë, ose 31.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), rreth 55 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar i vitit 2025.

Dokumenti financiar u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe tashmë është dërguar në Kuvend për shqyrtim nen për nen, që pritet të përfundojë në fillim të dhjetorit.

Sipas qeverisë, të ardhurat buxhetore për 2026 pritet të arrijnë në 823.1 miliardë lekë, me një rritje prej 52.9 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të përmirësimit të administrimit fiskal dhe uljes së informalitetit në ekonomi.

Rritja ekonomike pritet të vazhdojë me një mesatare prej 4% në vit gjatë periudhës 2026–2028, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë.

Deficiti buxhetor është parashikuar në 2.3% të PBB-së, ndërsa balanca primare do të jetë e balancuar. Borxhi publik bruto do të ulet në 53.6% të PBB-së në vitin 2026 dhe në 51% deri në vitin 2028.

Projektbuxheti parashikon rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe të pensionit mesatar në 400 euro në muaj.

Paga minimale do të rritet në 50 mijë lekë, ndërsa pagat e administratës publike do të indeksohen me 2.5% duke nisur nga 1 janari 2026. Paga minimale pritet të arrijë në 60 mijë lekë deri në vitin 2028, e shoqëruar me indeksim sipas inflacionit.

Investimet publike do të mbeten në nivel të lartë, me një mesatare prej 6.5% të PBB-së gjatë periudhës 2026–2028, duke u fokusuar në projekte strategjike të lidhura me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021–2030.

Në kuadër të buxhetimit gjinor, rreth 9.5% e shpenzimeve buxhetore do t’i dedikohen politikave me bazë gjinore, të përfshira në 85 programe buxhetore.

Buxhetet vendore për vitin 2026 janë planifikuar në 97.7 miliardë lekë, me një rritje prej 9% krahasuar me vitin 2025, ndërsa transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor do të jetë 1.6 miliardë lekë më e lartë se një vit më parë dhe më shumë se dyfish krahasuar me nivelin e vitit 2015.

Projektbuxheti për vitin 2026