
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po përgatiten për marrjen e pjesëve të trupave të tre pengjeve të vrarë, që pritet të dorëzohen mbrëmjen e së premtes nga Kryqi i Kuq, përcjell JPost.
Sipas raportimeve, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) do të dorëzojë mbetjet e tre pengjeve tek trupat izraelite gjatë natës, megjithëse Hamas nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre.
Në një deklaratë, ICRC tha:
“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, duke vepruar si ndërmjetës neutral, ndihmoi sonte, me kërkesë dhe miratim të të dyja palëve, në kthimin e mbetjeve të tre trupave tek autoritetet izraelite. Procesi i identifikimit është përgjegjësi e autoriteteve përkatëse në Izrael dhe do të kryhet nga to.”
ICRC theksoi se nuk merr pjesë në gjetjen e trupave, duke kujtuar se sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, është përgjegjësi e palëve ndërluftuese të gjejnë, mbledhin dhe kthejnë trupat tek familjet e tyre.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi trupat e Amiram Cooper dhe Sahar Baruch u kthyen në Izrael të enjten në mbrëmje, pas identifikimit në Institutin Kombëtar të Mjekësisë Ligjore.
Sipas raportimeve, pjesëtarë të Hamasit janë parë duke kryer gërmime në Gaza, nën mbikëqyrjen e organizatës, për të gjetur mbetjet e pengjeve izraelite të vrarë.
Mediat izraelite publikuan gjithashtu pamje të regjistruara nga një dron i IDF, ku shihen militantë të Hamasit që varrosin trupin e pengut izraelit Ofir Tzarfati, për ta “zbuluar” më pas në prani të përfaqësuesve të Kryqit të Kuq — një veprim që Izraeli e ka cilësuar si “skenar të inskenuar propagandistik.”
Një zyrtar amerikan tha për The Jerusalem Post se Hamas u paralajmërua përmes Egjiptit dhe Katarit që të tërhiqej nga zona pas “vijës së verdhë” deri të enjten në mbrëmje, përndryshe IDF do të ndërmerrte sulme.
Kthimi i mbetjeve të pengjeve po ndodh në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Kryqi i Kuq për shkëmbimin e trupave dhe pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit, më shumë se një vit pas sulmit të 7 tetorit 2023.