Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi zhvillon sot dy seanca plenare — në rend dite kërkesa për shkarkimin e Niko Peleshit dhe ngritja e komisioneve hetimore



Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, të dytën për këtë javë, pas asaj të së hënës ku raportuan krerët e institucioneve të drejtësisë dhe u votua për ngritjen e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

Në rendin e ditës të seancës së parë, që nis në orën 10:00, është shqyrtimi i kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me argumentin se ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Pas kësaj, Kuvendi do të zhvillojë një seancë të dytë në orën 11:30, ku pritet të raportojnë për veprimtarinë e vitit 2024 disa institucione të rëndësishme, përfshirë:

  • Këshillin e Lartë të Prokurorisë,

  • Avokatin e Popullit,

  • Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil,

  • Institutin e Statistikave,

  • Autoritetin e Mediave Audiovizive, dhe

  • Radiotelevizionin Shqiptar.

Në këtë seancë do të shqyrtohen gjithashtu dy kërkesa të Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore.
E para lidhet me verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, ndërsa e dyta ka të bëjë me kontrollin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Gjithashtu, Kuvendi pritet të miratojë edhe projekt-rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.