
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të enjten se kishte arritur një marrëveshje me presidentin kinez Xi Jinping për uljen e tarifave tregtare ndaj Kinës, në këmbim të masave më të ashpra të Pekinit kundër tregtisë së paligjshme të fentanilit, rifillimit të blerjeve të sojës amerikane dhe ruajtjes së eksporteve të metaleve të rralla.
Takimi mes Trump dhe Xi, që u zhvillua në qytetin port të Busanit në Korenë e Jugut, ishte i pari ballë për ballë mes dy liderëve që nga viti 2019. Ai shënoi gjithashtu përmbylljen e turit të gjatë aziatik të presidentit amerikan, gjatë të cilit ai vlerësoi përparimin në marrëdhëniet tregtare me Korenë e Jugut, Japoninë dhe vendet e Azisë Juglindore.
“Mendova se ishte një takim i shkëlqyer,” u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, pak pasi ishte larguar nga Busani, duke e vlerësuar takimin me Xi si “12 nga 10”.
Ai njoftoi se tarifat ndaj importeve kineze do të ulen në 47% nga 57%, ndërsa tarifat që lidhen me tregtinë e barnave pararendëse të fentanilit do të përgjysmohen në 10% nga 20%.
Sipas Trump, presidenti kinez Xi Jinping është zotuar të punojë “me shumë përkushtim për të ndaluar rrjedhën” e fentanilit një opioid sintetik jashtëzakonisht vdekjeprurës që përbën shkakun kryesor të vdekjeve nga mbidoza në SHBA. “Tarifat u ulën sepse besoj se ata po ndërmarrin masa të forta,” shtoi Trump.
Ndërkohë, tregjet globale reaguan me luhatje pas publikimit të detajeve të marrëveshjes. Indekset kryesore aziatike dhe ato evropiane me kontrata afatshkurtra u lëkundën mes fitimeve dhe humbjeve. Indeksi i Përbërë i Shangait (.SSEC) ra nga një nivel rekord 10-vjeçar, ndërsa kontratat e ardhshme për sojën amerikane shënuan dobësim, shkruan Reuters.
“Për momentin, lëvizja e çmimeve i bën gjërat të duken sikur shumë nga këto ishin tashmë të parashikuara,” tha Kyle Rodda, analist i lartë i tregut në Capital.com në Melbourne. “Me sa duket, tregjet shpresonin për heqjen e plotë të tarifës së fentanilit, kështu që kjo mund të shpjegojë ambivalencën në tregje.”
Vetëm India dhe Brazili ende i nënshtrohen tarifave më të larta midis partnerëve kryesorë tregtarë të SHBA-së.
Tregjet botërore të aksioneve nga Wall Street në Tokio kishin arritur nivele rekord përpara takimit me shpresën e një përparimi në një luftë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë që ka përmbysur zinxhirët e furnizimit dhe ka tronditur besimin e biznesit global.
Takimi i përzemërt, i cili u zhvillua në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), zgjati gati dy orë.
Trump foli vazhdimisht për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Xi-në, që kur negociatorët amerikanë thanë të dielën se kishin rënë dakord për një kornizë me Kinën që do të shmangë tarifat 100% të SHBA-së mbi mallrat kineze dhe do të arrijë një shtyrje të kufizimeve të eksportit të Kinës për metalet e rralla, një sektor që ajo dominon.