Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton ligjin e ri për koncesionet dhe PPP-të



Qeveria ka miratuar projektligjin e ri për koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat (PPP), që synon të forcojë transparencën dhe mbikëqyrjen në menaxhimin e projekteve publike me kapital privat.

Sipas njoftimit, koncesionet dhe PPP-të do të përqendrohen në disa sektorë strategjikë, përfshirë transportin (hekurudha, porte, aeroporte, rrugë, ura e tunele), energjinë, menaxhimin e ujit dhe mbeturinave, bujqësinë dhe turizmin.

Projektligji i ri vendos rregulla të qarta për planifikimin, dhënien dhe kontrollin e kontratave koncesionare. Çdo projekt do të kalojë një filtër paraprak dhe do të ketë raportime të detyrueshme çdo tre muaj. Afati për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave nuk do të kalojë 30 ditë nga data e hapjes, për të shmangur zvarritjet apo manipulimet e afateve që mund të favorizonin operatorë të caktuar.

Në ligj parashikohet edhe ngritja e një regjistri të veçantë për monitorimin e ecurisë së projekteve. Ndër risitë kryesore është heqja e bonusit prej 10% për ofertat që paraqiten si propozime të pakërkuara nga privatët.

Ministria e Financave do të ketë një rol më të fortë mbikëqyrës, duke miratuar paraprakisht studimet e fizibilitetit për çdo projekt dhe çdo ndryshim apo transferim të tyre. Po ashtu, përgatitja e procedurave konkurruese nuk duhet të ketë qëllim favorizimi apo përjashtimi të padrejtë të operatorëve ekonomikë.

Koncesionet dhe PPP-të kanë qenë shpesh në qendër të kritikave të opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të mungesës së transparencës dhe dyshimeve për korrupsion. Rasti i fundit që ngjalli debat ishte ai i aeroportit të Vlorës, ku përplasjet mes investitorëve privatë nxorën në pah mungesën e mbikëqyrjes nga autoritetet, edhe në një projekt të rëndësishëm për sigurinë kombëtare.