
Kandidati i pavarur për drejtimin e Tiranës, Florjan Binaj, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të partive opozitare në vend, ku ka prezantuar programin e tij dhe planin e veprimit për fushatën elektorale.
Në disa foto të shpërndara në rrjetet sociale, Binaj shihet përkrah përfaqësuesve të opozitës, ndërsa thekson se takimi ka rezultuar pozitiv, pasi programi i tij ka gjetur mbështetje dhe është pasuruar me propozime të reja.
“Sot, me ekipin tonë, zhvilluam një takim me Ermalin, Ilirin, Barbarën, Sentjonin, Albin, Brunildën, Anisën dhe Erionin, përfaqësues të partive opozitare në vend. Me kënaqësi konstatuam se programi ynë, i ideuar nga një staf profesionistësh idealistë dhe qytetarësh aktivë, gjeti mbështetjen e tyre. Angazhimi i tyre me propozime konkrete e pasuroi më tej programin tonë, i cili, në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, do të përsoset edhe më tej,” shkruan Binaj.
Aktori dhe kandidati i pavarur ka shtuar se nisma e tij synon të krijojë një platformë të hapur për qytetarët dhe grupet shoqërore, duke theksuar se çdo kontribut opozitar përbën “një hap drejt një Tirane më të ndershme, më të gjallë dhe më të drejtë”.

