Vendosni fjalën kyçe....

60 të vrarë nga aksioni policor në Rio de Zhaneiro pak ditë para Samitit të Klimës (Video)


Të paktën 60 persona vdiqën në operacionin policor më vdekjeprurës të kryer ndonjëherë në Rio de Zhaneiro, i tha një zyrtar shtetëror Reuters-it, operacion që synonte një bandë të fuqishme pak ditë para se qyteti të presë ngjarje globale të lidhura me samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara, i njohur si COP30.

Policia shpesh ka kryer operacione në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar përpara ngjarjeve të mëdha në Rio, i cili priti ndeshjet e Kupës së Botës 2014, Lojërat Olimpike 2016, samitin G20 në vitin 2024 dhe samitin BRICS këtë vit.

Viktimat nga ato operacione ishin shumë më pak se rreth 60 të vdekurit e së martës, sipas një zyrtari shtetëror të Rios, i cili foli në kushte anonimiteti.

“Ne qëndrojmë të vendosur përballë narkoterrorizmit,” shkroi Guvernatori i Rios, Claudio Castro, në rrjetet sociale në lidhje me operacionin, i cili tha se përfshinte 2,500 personel sigurie dhe 32 mjete të blinduara në të gjithë komplekset e favelave Alemao dhe Penha.

Favelat e Rios janë vendbanime të varfra, me dendësi të lartë popullsie, të gërshetuara në gjithë terrenin kodrinor buzë oqeanit të qytetit, shkruan Reuters.

Javën e ardhshme, Rio pret samitin global të kryetarëve të bashkive C40 që trajton ndryshimet klimatike dhe Çmimin Earthshot të Princit ëilliam, ku do marrin pjesë të famshëm si ylli i popit Kylie Minogue dhe kampioni i katërfishtë i Formula 1, Sebastian Vettel.

Programi është pjesë e përgatitjeve për COP30, samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara që mbahet në qytetin e Amazonës, Belem, nga 10 deri më 21 Nëntor.

Operacioni i së martës u përshkrua nga qeveria e shtetit si më i madhi i kryer ndonjëherë kundër bandës “Comando Vermelho”. Të paktën 56 persona janë arrestuar ndërsa autoritetet kërkonin të zbatonin 250 urdhra arresti dhe kontrolli, shtoi qeveria.