Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti në Kuvend: Kosova përballë provokimeve serbe, nevojitet vota për qeverinë e re



Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka renditur sulmet dhe provokimet me të cilat Kosova është përballur vitet e fundit nga Serbia.

Kurti ka përmendur sulmet terroriste në Banjskë, vendosjen e ushtrisë serbe në kufi dhe aktivitetet e strukturave kriminale të lidhura me Beogradin në veri të vendit, duke goditur institucione, KFOR-in, policinë dhe gazetarët. “Ushtria e Kosovës është sot më e fortë se kurrë më parë”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar gjithashtu se vonesa në konstituimin e Kuvendit ka dëmatuar funksionimin e qeverisë dhe besueshmërinë e Kosovës përballë partnerëve ndërkombëtarë. “Mbi 6 muaj deputetët ishin duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, gjë që ndikoi në vonesën e proceseve dhe besueshmërinë e shtetit tonë”, tha Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti ka listuar disa arritje të mandatit të kaluar, duke përmendur bashkëpunimin me qendra kërkimore ndërkombëtare si Gallup dhe FMN, dhe ka kërkuar votat e deputetëve për të vazhduar këtë lloj qeverisjeje. Ai paralajmëroi se mosvotimi i qeverisë sot rrezikon nisjen e zgjedhjeve të reja, duke vënë në rrezik funksionimin e institucioneve dhe pagat e shërbyesve publikë.

Kurti ka bërë thirrje që deputetët të votojnë për interesin publik dhe shtetëror, duke siguruar funksionimin e qeverisë dhe stabilitetin e vendit.