
Të paktën një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pas një të shtënë me armë që ndodhi të shtunën mbrëma në universitetin Lincoln të Pensilvanisë, gjatë fundjavës së festimeve të “Homecoming”, njoftuan autoritetet lokale për CNN.
Sipas zyrtarëve, shtatë persona u qëlluan me armë pranë qendrës “International Cultural Center” të kampusit. Prokurori i qarkut Chester, Christopher de Barrena-Sarobe, konfirmoi në një konferencë për shtyp se një person kishte ndërruar jetë, ndërsa gjashtë të tjerë ishin qëlluar, pa dhënë detaje mbi gjendjen e të plagosurve.
Një person që mbante armë është ndaluar nga policia, por hetimet për rrethanat e ngjarjes janë ende në zhvillim. “Nuk kemi ende shumë përgjigje për atë që saktësisht ka ndodhur,” tha prokurori.
Autoritetet lokale, shtetërore dhe federale po hetojnë ngjarjen, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë FBI-në.
Të paktën tre nga të plagosurit janë transportuar në spitalin Christiana Hospital në Wilmington, Delaware, dhe një tjetër në ChristianaCare në Newark, sipas zyrtarëve të sheriffit të qarkut Chester.
Ngjarja u pasua nga panik në vendngjarje, ku dhjetëra persona u rrëzuan dhe u shtypën ndërsa vraponin për t’u larguar, raportoi rrjeti KYW, duke cituar autoritetet.
Universiteti Lincoln, i vendosur rreth 90 kilometra në perëndim të Filadelfias, është njohur si kolexhi i parë historikisht për studentë me ngjyrë që ka dhënë diploma universitare në SHBA.
Në një reagim në Instagram, universiteti njoftoi se do të ofrojë këshillim psikologjik për studentët dhe stafin të dielën në mëngjes.
Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, deklaroi se është informuar mbi ngjarjen dhe se administrata e tij po ofron mbështetje të plotë për universitetin dhe policinë lokale.
Kjo ngjarje ndodh vetëm një ditë pas një tjetër sulmi me armë pranë kampusit të universitetit Howard në Washington, D.C., ku pesë persona mbetën të plagosur, ndërsa policia konfirmoi se asnjëri prej tyre nuk ishte student i atij universiteti.