Vendosni fjalën kyçe....

Maduro akuzon SHBA-në se “po fabrikon një luftë”



Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se “po fabrikojnë një luftë të re”, pasi Uashingtoni ka dërguar aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford, drejt Karaibeve — një veprim që shënon përshkallëzimin më të madh ushtarak në rajon në vitet e fundit, përcjell BBC.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi të premten që anija, e cila mund të mbajë deri në 90 avionë luftarakë, të zhvendoset nga Mesdheu në zonën e Komandës Jugore të SHBA-së, që përfshin Amerikën Qendrore, Jugore dhe Karaibet.

“Ata po fabrikojnë një luftë të përjetshme,” tha Maduro për mediat shtetërore. “Premtuan se nuk do të përfshiheshin më kurrë në luftë, dhe tani po shpikin një të re.”

SHBA ka rritur ndjeshëm praninë e saj ushtarake në Karaibe, duke dërguar anije luftarake, një nëndetëse bërthamore dhe avionë F-35, në atë që Uashingtoni e përshkruan si një fushatë kundër trafikut të drogës.

Në javët e fundit, SHBA ka kryer dhjetë sulme ajrore ndaj mjeteve lundruese që i cilëson si pronë e trafikantëve. Në një prej tyre, Hegseth njoftoi se janë vrarë “gjashtë narco-terroristë meshkuj”, në një operacion ndaj një anijeje të grupit kriminal Tren de Aragua.

Këto sulme kanë shkaktuar kritika në rajon, ndërsa ekspertët kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre. Sipas disa analistëve, administrata e Trump po përdor “luftën kundër drogës” si instrument presioni ndaj regjimit të Maduros.

“Kjo është për ndryshim regjimi,” tha Dr. Christopher Sabatini, studiues në Chatham House, për BBC. “Qëllimi është të frikësohet ushtria venezueliane dhe rrethi i brendshëm i Maduros që të kthehen kundër tij.”

Ndërkohë, burime të CNN raportojnë se Presidenti Trump po shqyrton mundësinë e goditjeve tokësore kundër objekteve të prodhimit të kokainës dhe rrugëve të trafikut brenda Venezuelës, megjithëse ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Vendosja e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, e cila ndodhej afër bregdetit të Kroacisë tri ditë më parë, përfaqëson një përshkallëzim të ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Amerikën Latine — dhe rrezikon të shtojë më tej tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit.

Në SHBA, disa anëtarë të Kongresit, përfshirë demokratë e republikanë, kanë ngritur dyshime mbi autoritetin ligjor të presidentit për të urdhëruar sulme të tilla pa miratim parlamentar.

“Kongresi amerikan po përjeton një krizë të Nenit 1 të Kushtetutës,” tha Brian Finucane, ish-këshilltar në Departamentin e Shtetit. “Kontrolli mbi përdorimin e forcës ushtarake i takon Kongresit, por në këtë rast është uzurpuar nga Shtëpia e Bardhë.”

Sipas të dhënave zyrtare, nga shtatori deri më tani, të paktën 43 persona janë vrarë në operacionet e SHBA-së kundër trafikut të drogës në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor.