Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Të hënën Balluku është thirrur në SPAK, e njëjta gjë do i ndodhë edhe Ramës (Video)


Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj tha sot se ajo që ndodhi me zv.kryeministrin Balluku, që të hënën është thirrur në SPAK, do ndodhë edhe me kryeministrin Rama.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, deputeti thekson se dukej e pabesueshme që Balluku të përballej një ditë më drejtësinë, por ajo ndodhi ndërsa shton se e njëjta gjë e pret edhe shefin e saj. Shehaj thekson se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë modeli i korruptuar i qeverisë Rama.

“Dëgjoni reagimin e pabesueshëm të zv.kryeministres Balluku në lidhje me hetimet e SPAK-ut ndaj saj. është e pabesueshme. Të hënën Balluku është thirrur nga SPAK-u dhe është thirrur bashkë me avokatin e saj. Balluku çfarë bën? I hipën avionit, shkon në Zvicër dhe fillon e bën xhiro me tren në Zvicër dhe na jep mend. Na thotë sa të bukur janë trenat në Zvicër dhe sa bukur do ishte që këto trenatë ishin edhe në Shqipëri. Është e paimagjinueshme.

Por nga ana tjetër na dukej e pabesueshme që Balluku një ditë do dilte para drejtësisë dhe ja kjo gjë po ndodh. Na dukej e pabesueshme që edhe Veliaj një ditë do dilte para drejtësisë dhe ajo ndodhi. E njëjta gjë ndodhi me Beqajn dhe me shumë të tjerë. Dhe e njëjta gjë ka për të ndodhur edhe me Ramën. Duhet të kemi besim. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë modeli i korrupsionit i kësaj qeverie. Duhet të vazhdojmë të luftojmë e të mos dorëzohemi.” – thotë Shehaj.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku është regjistruar si person nën hetim nga SPAK.

Prokuroria Speciale ka kryer kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtorëve të ngushtë të ministres së Infrastrukturës.

Asaj i është komunikuar që të paraqitet në SPAK ditën e hënë e shoqëruar nga një avokat. Ndaj Ballukut ka disa kallëzime penale, më i fundit ai për Tunelin e Llogarasë, ku kostoja dyshohet se është rritur dhjetëra milionë euro, ndërsa nuk dihet ende nëse hetimi ka të bëjë edhe me çështjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

Më herët gjatë ditës, kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi deklaraoi se prokurorit Dritan Prençi, që ka thirrur Ballukun në SPAK po i bëhet presion i jashtëzakonshëm nga segmente brenda SPAK-ut, nga media dhe nga kryeministri Rama ndërsa dha alarmin se kreu i SPAK-ut Altin Dumani ishte protektori i Ballukut brenda SPAK-ut.

Balluku u emërua ministre e Infrastrukturës në janar 2019 ndërsa zv.kryeministre në korrik 2022.

Disa nga vartësit e zv.kryeministres janë të arrestuar ose nën hetim. Ish-drejtori I ARRSH-së Evis Berberi është i burgosur. Ai u arrestua në mars 2024 me urdhër të SPAK, i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në lidhje me përfitimin e fondeve publike përmes skemave me kompani private. Ai u mor i pandehur së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij (Valter Begaj dhe Ervis Lami) dhe 18 anëtarë të komisioneve të prokurimit publik.

Disa zyrtarë të ARRSH-së janë çuar në gjyq lidhur me tenderin e Unazës së Madhe.

Balluku u akuzua publikisht nga paraardhësi i saj Arben Ahmetaj, i cili në një intervistë në media tha se zv.kryeministrja shtoi artificialisht vlerën e Tunelit të Llogarasë që u fitua nga një konsorcium kompanish turke, duke shkuarë nga 140 milionë euro në 190 milionë euro.

Hashtag raportoi se në shtator 2022, një kompani turke, pjesë e konsorciumit që fitoi koncesionin e aeroportit të Vlorës, shiti aksionet e saj te kompania MABCO e Behgjet Pacollit. Megjithatë kontrata u nënshkrua në dhjetor 2022, periudhë kur është bërë pagesa e fundit për Tunelin e Llogarasë.

Tre muaj më pas, kompania koncesionare e aeroportit VIA është paraqitur në BKT dhe ka siguruar një kredi prej rreth 50 milionë eurosh.