Vendosni fjalën kyçe....

“Po udhëtojmë me tren” – Balluku poston videon nga Zvicra


Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka postuar një video në Facebook ku shafaqet brenda një treni në Zvicër. Ajo thotë se po shkon në një takim me ministrin federal për transportin, mjedisin dhe energjinë.

Zv.kryeministrja shton se shumë shpejt Shqipëria do bëhet pjesë e rrjetit hekurudhor ndërkombëtar duke nisur me projektin e parë, atë Tiranë-Durrës.

“Shumë mirë do ishte që të bëbim rrugëtimin me tren nga Zvicra në Shqipëri dhe do ta bëjmë në të ardhmen, mes korridoreve hekurudhore evropiane ku Shqipëria do bëhet pjesë siç po bëhet edhe me autostradat por sot jemi në një udhëtim me skuadrën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe atë të Hekurudhës Shqiptare për të bërë një takim bilateral me ministrin federal për transportin, mjedisin dhe energjinë këtu në Zvicër. Po bëjmë një udhëtim nga Zyrihu në Bernë duke provuar kështu edhe efikasitetin që hekurudha ka dhe duke bërë plane për një bashkëpunim të ngushtë edhe me hekurudhën zviceriane në të ardhmen për sa i përket zhvillimit të transportit hekurudhor duke nisur me projektin e parë atë nga Tirana në Durrës.” – thotë Balluku.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku është regjistruar si person nën hetim nga SPAK.

Prokuroria Speciale ka kryer kontrolle në banesat e disa bashkëpunëetorëve të ngushtë të ministres së Infrastrukturës.

Asaj i është komunikuar që të paraqitet në SPAK ditën e hënë e shoqëruar nga një avokat. Ndaj Ballukut ka disa kallëzime penale, më i fundit ai për Tunelin e Llogarasë, ku kostoja dyshohet se është rritur dhjetëra milionë euro, ndërsa nuk dihet ende nëse hetimi ka të bëjë edhe me çështjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

Më herët, kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi deklaraoi se prokurorit Dritan Prençi, që ka thirrur Ballukun në SPAK po i bëhet presion i jashtëzakonshëm nga segmente brenda SPAK-ut, nga media dhe nga kryeministri Rama ndërsa dha alarmin se kreu i SPAK-ut Altin Dumani ishte protektori i Ballukut brenda SPAK-ut.

Balluku u akuzua publikisht nga paraardhësi i saj Arben Ahmetaj, i cili në një intervistë në media tha se zv.kryeministrja shtoi artificialisht vlerën e Tunelit të Llogarasë që u fitua nga një konsorcium kompanish turke, duke shkuarë nga 140 milionë euro në 190 milionë euro.

Hashtag raportoi se në shtator 2022, një kompani turke, pjesë e konsorciumit që fitoi koncesionin e aeroportit të Vlorës, shiti aksionet e saj te kompania MABCO e Behgjet Pacollit. Megjithatë kontrata u nënshkrua në dhjetor 2022, periudhë kur është bërë pagesa e fundit për Tunelin e Llogarasë.

Tre muaj më pas, kompania koncesionare e aeroportit VIA është paraqitur në BKT dhe ka siguruar një kredi prej rreth 50 milionë eurosh.