Vendosni fjalën kyçe....

“Tentuan të më helmonin” – Presidenti i Ekuadorit bën deklaratën e pazakontë


Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, tha të enjten se një person i panjohur kishte tentuar ta helmonte atë me çokollatë dhe një reçel të përzier me kimikate, që i ishin dhuruar gjatë një takimi publik.

Noboa i tha CNN se prania e tre lëndëve toksike “shumë të përqendruara” në ëmbëlsira “nuk mund të kishte qenë aksidentale,” duke thënë se ekipi i tij kishte prova për të mbështetur pretendimet e tij. Presidenti 37-vjeçar tha se lëndët toksike nuk mund të kishin ardhur nga vetë produktet apo paketimi i tyre, shkruan France24.

Organi ushtarak përgjegjës për sigurinsë e kreut të shtetitkishte paraqitur një padi te prokurorët. Kjo është hera e dytë që administrata e Noboas pretendon një tentativë për vrasje, mes protestave indigjene kundër qeverisë dhe rritjes së krimit.

Më herët këtë muaj, qeveria tha se automjeti i Noboas kishte shenja plumbash pasi autokolona e tij u sulmua nga një grup protestuesish që e gjuajtën me gurë, të zemëruar për rritjen e çmimeve të karburantit. Ministri i Mbrojtjes, Gian Carlo Loffredo, e quajti atë një “tentativë vrasjeje.” Nga vendi i ngjarjes megjithatë nuk u paraqitën prova, si gëzhoja plumbash. Noboa nuk u dëmtua gjatë sulmit.

Organizata më e madhe e popullsive indigjene në vend, e quajtur Conaie, ka bllokuar rrugët, përfshirë në provincën Pichincha të kryeqytetit, që nga 22 shtatori për shkak të rritjes së kostove të karburantit.

Presidenti po përgatitet për një referendum më 16 nëntor, i cili shpreson se do t’i hapë rrugën për hartimin e një Kushtetute që është më e ashpër ndaj krimit të lidhur me drogën.

Ekuadori, dikur një nga vendet më të sigurta të Amerikës Latine, është bërë një qendër kyçe e tranzitit të kokainës midis prodhuesve kryesorë Kolumbisë dhe Perusë, dhe konsumatorëve në mbarë botën.

Shkalla e vrasjeve është rritur ndjeshëm, ndërsa shpërthimet e makinave me bombë, vrasjet dhe masakrat në burgje janë bërë rutinë.