
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën se Egjipti është bërë pjesë e programit “Horizon Europe”, programi kryesor i Bashkimit Evropian për kërkime shkencore dhe inovacion, përcjell Euronews.
Ky program, me një buxhet prej 93.5 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027, financion projekte në fushën e shkencës, industrisë dhe institucioneve publike, me qëllim nxitjen e zhvillimit teknologjik, luftën ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbështetjen e objektivave të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm.
Një zyrtar i BE-së tha për Euronews se pjesëmarrja e Egjiptit nuk garanton automatikisht financim, pasi çdo projekt do të vlerësohet në bazë të meritës dhe kritereve të programit. “Sot shënojmë bashkimin e Egjiptit me ‘Horizon Europe’ – programin më të madh në botë për kërkime dhe inovacion. Ky program nuk është i mirë vetëm për shkencën, por edhe për konkurrueshmërinë tonë, nga energjia e pastër te kompjutimi kuantik. Tani edhe studiuesit dhe talentet egjiptiane mund të përfitojnë,” deklaroi von der Leyen.
Krahas këtij zhvillimi, Komisioni Evropian ka miratuar një hua prej 5 miliardë eurosh për Egjiptin, në mbështetje të reformave ekonomike të qeverisë së presidentit Abdel Fattah el-Sisi. Një miliard euro është disbursuar në prill 2024 si ndihmë afatshkurtër, ndërsa pjesa tjetër prej 4 miliardë eurosh do të shpërndahet në kuadër të marrëveshjeve të reja financiare. “Sot nënshkruajmë një fazë të re të ndihmës makrofinanciare për Egjiptin, që arrin në total 5 miliardë euro. Qeveria juaj është zotuar për një axhendë ambicioze reformash, dhe me këtë paketë ne e mbështesim dhe e inkurajojmë atë,” tha von der Leyen gjatë takimit me presidentin Sisi.
Megjithatë, vendimi i Brukselit është shoqëruar me kritika nga një grup prej 34 eurodeputetësh nga të Gjelbrit, Socialistët dhe e Majta, të cilët shprehën shqetësim për mungesën e demokracisë dhe shtypjen politike në Egjipt. Në një letër drejtuar von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, eurodeputetët theksojnë se ndihma financiare duhet të kushtëzohet me “hapa konkretë dhe të besueshëm drejt respektimit të mekanizmave demokratikë”. Edhe Human Rights Watch reagoi, duke kërkuar që “Evropa të përdorë ndikimin e saj për të siguruar reforma reale dhe llogaridhënie nga qeveria egjiptiane.”
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka njoftuar një grant shtesë prej 75 milionë eurosh për zhvillim socio-ekonomik në Egjipt, i cili synon të përmirësojë aksesin në arsim, shëndetësi, ujë të pijshëm dhe kanalizime, me fokus të veçantë tek gratë dhe të rinjtë.