Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, prezantoi sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe Punësimit dhe në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Raportin Vjetor të veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2024 — një vit që u karakterizua nga zhvillime pozitive dhe dinamika në tregjet financiare jobankare.
Në fjalën e saj, Kaçi theksoi se AMF ka vijuar punën për forcimin e mbikëqyrjes së tregjeve, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator të përafruar me standardet evropiane, si dhe për mbrojtjen e interesave të investitorëve dhe konsumatorëve, duke kontribuar në stabilitetin financiar.
Një ndër prioritetet kryesore të Autoritetit mbetet procesi i integrimit evropian dhe përmbushja e angazhimeve në kuadër të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, që kryesohet nga AMF. Në këtë drejtim janë ndërmarrë ndryshime të rëndësishme për harmonizimin e kuadrit ligjor me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian. Në prill 2025 u hapën negociatat me BE-në për grupkapitullin e dytë, ku përfshihet edhe Kapitulli 9.
Gjatë vitit 2024, tregjet financiare jobankare u paraqitën të mirëkapitalizuara dhe me tregues të qëndrueshëm të shëndetit financiar, duke ndjekur një trajektore pozitive. Në fund të vitit, totali i aseteve të tregjeve nën mbikëqyrje arriti në 131 miliardë lekë, me një rritje prej 17% krahasuar me një vit më parë.
Në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, aktivet u rritën me 22%, ndërsa numri i investitorëve arriti në 37,786, me një rritje prej 17,4%.
Gjatë vitit nisën aktivitetin dy fonde të reja investimi dhe u regjistruan fonde të reja me karakteristika ESG, në përputhje me praktikat e BE-së. Në tregun e sigurimeve, gjatë 2024-s u licencua një shoqëri e re e sigurimit të jetës, duke e çuar numrin total të kompanive në 13.
Aktivet e tregut u rritën me 12%, primet e shkruara bruto me 7% dhe dëmet e paguara me 24.3%, duke arritur në 9 miliardë lekë. Raporti dëme/prime zbriti në 41%, për herë të parë brenda diapazonit të rekomanduar për industrinë.
Gjithashtu, Fondi i Kompensimit shënoi një ulje prej 18% të dëmeve pezull — niveli më i ulët historik. Në bashkëpunim me Byronë Shqiptare të Sigurimit dhe në zbatim të rekomandimeve të CEFTA-s, u mundësua lehtësimi i lëvizjes ndërkufitare të automjeteve shqiptare drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke ulur kostot për drejtuesit e mjeteve.
Tregu i pensioneve private vijoi rritjen me 20.3%, duke arritur 8.11 miliardë lekë në aktive dhe 44,263 anëtarë. Autoriteti përfundoi gjithashtu kuadrin rregullator të plotë për zbatimin e ligjit “Për fondet e pensionit privat”.
Në tregjet e kapitalit, obligacionet e emetuara me ofertë private arritën në 28 miliardë lekë, me rritje prej 40%, ndërsa instrumentet financiare të bankave në tregjet e huaja arritën në 80 milionë euro. AMF avancoi gjithashtu në zbatimin e Dokumentit të Politikave për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit 2023–2027.
Autoriteti është gjithashtu i angazhuar për organizimin e Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), që do të mbahet në Tiranë, në nëntor 2025.
Ky aktivitet, që do të mbledhë mbi 500 pjesëmarrës nga mbi 150 vende, përfaqëson ngjarjen më të rëndësishme globale në fushën e sigurimeve, duke vlerësuar rolin e AMF-së dhe bashkëpunimin e saj me institucionet ndërkombëtare.
