Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Pacolli e Ademi janë “prestanome”, Rama e Balluku fshihen pas aferës së aeroportit të Vlorës


Berisha akuzoi sot kryeministrin Rama e zv.kryeministren Balluku si pronarë të vërtetë të aksioneve të aeroportit të Vlorës ndërsa shtoi se biznesmenët Behgjet Pacolli e Valon Ademi janë thjesht “prestanome”.

Në konferencën për shtyp nga selia blu, kreu i PD-së shtoi se kalimi i aksioneve nga kompania turke te ajo e Pacollit, “Mabco” rrëzon automatikisht tenderin për ndërtimin e aeroportit.

““Lubia”, jo vetëm që firmosi kontratën për një garanci prej 140 milionë eurosh, por më vonë ka firmosur edhe transferimin e aksioneve nga kompania turke me përvojë në ndërtimin e aeroporteve, tek MABCO Construction, një kompani në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli. Që në këtë moment tenderi bie poshtë. Shtylla kryesore e tenderit ishte kompania turke, e cila kishte eksperiencë në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve. Ndërkohë, kompani të tjera që nuk e kishin këtë ekspertizë u përjashtuan nga gara. Por çfarë ndodhi? Kompania me ekspertizë largohet, dhe Balluku firmos kalimin e aksioneve te MABCO, si të ishte prona e saj personale.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej se qeveria ka miratuar vetëm një transferim aksionesh gjatë këtyre katër viteve, dhe pikërisht atë të kompanisë turke te MABCO, gjë sipas tij përbën shkelje të ligjit.

“Nuk ka një dokument që të tregojë transferimin e aksioneve nga Pacolli te Valon Ademi. Nuk ka. Dhe tani të gjithë vërsulen, por unë kam denoncuar Pacollin dhe Valonin nuk e kam njohur kurrë më parë. Gjithë procesi është një megaaferë korruptive që duhet të hetohet nga organet e drejtësisë dhe kontrata dhe çdo vendim i lidhur me këtë projekt akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe të gjithë zyrtarët që e kanë mbështetur. Pacolli dhe Valon Ademi janë thjesht “prestanome” dhe aksionet në të vërtetë i përkasin Ballukut dhe kryeministrit Rama.” – shtoi Berisha.