Vendosni fjalën kyçe....

Kongresi Botëror i së Drejtës në Tiranë më 2027-ën, Lamallari: Shqipëria po afirmohet si partner i besueshëm në mbrojtjen e shtetit të së drejtës


Për herë të parë, në vitin 2027, Shqipëria do të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme juridike në botë — Kongresin Botëror të së Drejtës (World Law Congress Albania 2027).

Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas takimit me drejtoreshën ekzekutive të Fondacionit Botëror të Ligjit, Angela Montoya, fondacion që organizon këtë kongres me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

Sipas ministrit Lamallari, ky kongres do të mbledhë në Tiranë rreth 5 mijë pjesëmarrës nga mbi 100 shtete të botës, përfshirë krerë shtetesh, gjyqtarë të lartë, juristë, akademikë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Ngjarja do të zgjasë tre ditë dhe është parashikuar të zhvillohet në muajin prill 2027.

Ministri Lamallari theksoi rëndësinë që kjo ngjarje ka për vendin tonë, duke deklaruar se:
“Kongresi e pozicion Shqipërinë si qendër globale të dialogut juridik e demokratik dhe e promovon si një partner të besueshëm në mbrojtjen e shtetit të së drejtës. Kjo është një mundësi unike për të treguar vendosmërinë tonë për konsolidimin e reformës në drejtësi, për sundimin e ligjit dhe forcimin e sistemit gjyqësor.”

Kongresi Botëror i së Drejtës do të kulmojë me ceremoninë e Çmimit Botëror të Paqes dhe Lirisë (World Peace & Liberty Award), i njohur ndryshe si “Nobeli i së Drejtës”. Ky çmim është dhënë ndër vite personaliteteve të shquara si Winston Churchill, Nelson Mandela, Ruth Bader Ginsburg, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë ditëve të kongresit në Tiranë do të organizohen rreth 40 panele diskutimi me pjesëmarrës nga e gjithë bota. Sipas njoftimeve paraprake, ndër figurat e larta që kanë konfirmuar pjesëmarrjen është edhe Mbreti Felipe VI i Spanjës.

Në përfundim të takimit, ministri Lamallari nënvizoi se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për ta organizuar këtë kongres me standardet më të larta ndërkombëtare.
“Ky event do të jetë një moment historik për shtetin shqiptar dhe një mundësi për ta promovuar Shqipërinë si shembull të respektimit të shtetit të së drejtës në rajon dhe më gjerë,” deklaroi ai.