Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord të ndalojnë tranzitin e gazit rus përmes bllokut, njoftoi Këshilli Evropian. Nënshkrimi i marrëveshjeve të reja të importit për gazin rus do ndalohet nga blloku duke filluar nga 1 janari 2026, tha këshilli në një deklaratë të hënën.
Marrëveshjet afatshkurtra të arritura para 17 qershorit 2025 do lejohen të vijojnë deri më 17 qershor 2026, ndërsa kontratat afatgjata do lejohen të jenë në fuqi deri më 1 janar 2028, thuhet në deklaratë.
Sipas këshillit, rregullat e reja lënë hapësirë për “fleksibilitete specifike për shtetet anëtare pa dalje në det të prekura nga ndryshimet e fundit në rrugët e furnizimit,” të cilave do t’u lejohet të bëjnë ndryshime në kontratat e tyre ekzistuese me Rusinë.
Ministri hungarez Peter Szijjarto, i cili mori pjesë në forumin e Javës së Energjisë Ruse në Moskë javën e kaluar, përsëriti se Budapesti nuk ka ndërmend të heqë dorë nga gazi dhe nafta ruse, pasi “nuk do jetë në gjendje të sigurojë furnizimet e nevojshme të karburantit” pa këto dërgesa, shkruan RT.
Robert Fico, kryeministri i Sllovakisë, anëtare e BE-së, tha në fillim të këtij muaji se blloku po “dëmton veten” duke u përpjekur të heqë dalëngadalë energjinë ruse. Sipas Ficos, ai do vijojë të debatojë me Brukselin “për t’i bindur se ky është një hap ideologjik i pakuptimtë.”
Ndalimi i gazit rus u njoftua ndërsa ministrat e Energjisë të BE-së u mblodhën në Bruksel, ku mbështetën propozimin për të hequr plotësisht naftën dhe gazin rus deri në janar 2028.
Ministri danez i Energjisë, Lars Aagaard, shprehu kënaqësinë që legjislacioni që “do ndalojë përfundimisht gazin rus nga hyrja në BE” ka marrë mbështetje “dërrmuese” nga ministrat.
“Një Evropë e pavarur nga ana energjetike është një Evropë më e fortë dhe më e sigurt,” pohoi ai.
