
Sheik Tahnoon bin Zayed Al-Nahyan, majtas, kryetar i grupit dhe sundimtari i dytë i Abu Dhabit, me shefin Syed Basar Shueb
International Holding Company (IHC), kompania e dytë më e madhe në Lindjen e Mesme sipas vlerës së tregut, planifikon të dyfishojë bazën e saj të aseteve prej 119 miliardë dollarësh gjatë pesë viteve të ardhshme duke shpenzuar 36 miliardë dollarë çdo 18 muaj.
Shefi Ekzekutiv (CEO) i IHC, Syed Basar Shueb, tha se ai do bëjë gjithçka për të rritur madhësinë e kësaj kompanie, në një intervistë për Financial Times një ditë pasi konglomerati njoftoi një bashkim të planifikuar të tre filialeve të mëdha.
Grupi, i cili kryesohet nga Sheikh Tahnoon bin Zayed Al-Nahyan, sundimtari i dytë i Abu Dhabit dhe një nga anëtarët më të fuqishëm të familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe, është zgjeruar në mënyrë agresive vitet e fundit. Vetëm gjashtë vjet më parë, IHC raportoi asete totale prej rreth 1 miliard dollarë, një shifër që ishte rritur në 119 miliardë dollarë në fund të qershorit të këtij viti.
Konglomerati i gjerë, i cili ka një kapitalizim tregu prej 239 miliardë dollarësh, tani ka rreth 1,500 filiale dhe zotëron gjithçka, duke filluar nga aksionet në grupin indian Adani deri te minierat e bakrit, kompanitë e ndërtimit dhe fermat e pulave.
“Ne besojmë se me lehtësi mund të paktën të dyfishojmë madhësinë tonë…në pesë vitet e ardhshme,” shtoi Shueb, një ambicie që ka të ngjarë të ngrejë dyshime midis disa bankierëve që kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e zgjerimit të IHC dhe mungesën e transparencës mbi çështjet e kompanisë, edhe pse ajo është rritur për t’u bërë një nga kompanitë më të mëdha në botë sipas totalit të aseteve.
Shueb tha se strategjia e grupit për financimin e blerjeve të reja ishte shitja e rreth 6 deri në 7 për qind të bazës së saj të aseteve çdo një vit e gjysmë, gjë që ai vlerësoi se do lironte rreth 10 miliardë dollarë. Ai tha se kur kjo i shtohet flukseve të pritura të parave të IHC-së dhe shfrytëzohet me borxh, kjo do të thoshte se grupi mund të “investojë 36 miliardë dollarë çdo 18 muaj.”
IHC argumenton se rritja e saj e jashtëzakonshme është nxitur nga transferimi i bizneseve pa pagesë nga kompania e saj mëmë Royal Group, riinvestimi i fitimeve për të ushqyer një strategji blerjeje hiperaktive dhe rritja organike e bizneseve të saj.
Megjithatë, njerëzit e biznesit në rajon janë skeptikë rreth grumbullimit të jashtëzakonshëm të aseteve të grupit dhe çmimit të aksioneve të tij që sfidon gravitetin, i cili është rritur nga Dh6.2 në 2019 në rreth Dh400 vitet e fundit – një rritje prej më shumë se 6,000 për qind.
Pavarësisht se është kompania më e madhe e listuar në Abu Dhabi, kompania gjigante holding nuk mbulohet nga analistët kërkimorë të bankave dhe nuk vlerësohet publikisht nga agjencitë e kreditit.
Shueb tha se blerja më e fundit e IHC-së ishte një aksion mazhoritar në First ëomen Bank, një huadhënës që po privatizohet nga Pakistani. Në fillim të këtij muaji, filiali i saj i listuar Multiply tha se po blinte një aksion mazhoritar në grupin italian të paketimit ISEM.
Grupi me bazë në Abu Dhabi tha këtë javë se do bashkojë tre entitete që përmbajnë biznese të drejtuara drejtpërdrejt te konsumatori, një lëvizje që Shueb tha se do t’i lejonte bizneset të shkëmbenin lirisht të dhënat e klientëve dhe të “kryq-shisnin” më shumë produkte.
Përfitimet e konsolidimit, të tilla si bashkimi i burimeve njerëzore dhe funksioneve të financave, janë “të vjetruara”, tha Shueb.
“Gjëja më e madhe është se si të rritet shtrirja te klienti.”
Në një shkëmbim aksionesh, vlera e të cilit nuk është zbuluar, IHC do të bashkojë filialet Multiply, njësitë e së cilës variojnë nga sallonet e bukurisë te veshjet, 2PointZero, që përfshin nga minierat te menaxhimi i aseteve, dhe grupin e listuar të ushqimit dhe bujqësisë Ghitha Holding. Ata do të bashkohen në Multiply, që do të thotë se entiteti i ri do të listohet në bursën e Abu Dhabit.
Së bashku, grupet kanë 33 miliardë dollarë asete, tha IHC. 2PointZero është më i madhi me 18 miliardë dollarë asete, i ndjekur nga Multiply me 12 miliardë dollarë dhe Ghitha me 3 miliardë dollarë, sipas shifrave të ndara nga IHC me FT.
Sipas Shueb, rregullat e privatësisë së të dhënave në disa vende nënkuptojnë se të tre grupet nuk mund të shkëmbejnë informacionin e konsumatorëve me njëri-tjetrin, duke kufizuar aftësinë e tyre për të kryq-shitur.
“Kur jeni nën një entitet, nuk ka asnjë problem për këtë,” tha Shueb. Shitja e shërbimeve të abonimit TV një klienti që përdor një njehsor të zgjuar të energjisë elektrike të shitur nga një kompani IHC, ishte lloji i kryq-shitjes që IHC parashikonte të bënte.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times